MANIFESTIM KULTUROR
MË 22 QERSHOR 2024, NË FSHATIN XHERMË TË TETOVËS U ZHVILLUAN DISA LOJËRA POPULLORE
Lojërat popullore janë një pjesë e rëndësishme e kulturës dhe e traditës së një kombi. Ato pasqyrojnë mënyrën se si njerëzit janë argëtuar dhe kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për breza të tërë.
Kultura tradicionale gjithmonë ka qenë pjesë e kulturës së popullit shqiptar, edhe pse me kohë ato kanë filluar të tretën, një pjesë e tyre ende qëndron në shpirtin e shoqërisë shqiptare në Malësinë e Tetovës.
Më datë 22 qershor 2024, dita e shtunë, në fshatin Xhermë nën patronazhin e Shoqatës për kulturë, art dhe veprimtari botuese Intuita-Tetovë, të përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt manifestimi kulturor ,,Lojërat popullore tradicionale dhe folklori në Malësinë e Tetovës”.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin një numër i madh i pjesëmarrësve, i banorëve të fshatit dhe i disa fshatrave për rreth.
Në fillim të hapjes së këtij manifestimi u lexua referati për rëndësinë, ruajtjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij thesari të çmuar popullor, poashtu me theks të veçantë u theksuan objektivat dhe rezultatet e pritura të këtij manifestimi kulturor.
Lojërat popullore tradicionale, në të kaluarën kanë qenë pjesë e jetës së malësorëve dhe pjesërisht kanë natyrën e një gare, të një argëtimi dhe të një shfaqjeje për zhvillimin e shkathtësive e të mprehtësive dhe forcimit fizik.
Repertori i lojërave ka ndryshuar historikisht, por një pjesë e tyre kanë një jetëgjatësi.
Studimi i lojërave popullore shqiptare ka një interes të veçantë si pjesë përbërëse e kulturës popullore shqiptare. Ato jo vetëm që pasqyrojnë traditat dhe zakonet e ndryshme të shqiptarëve, por edhe ndihmojnë në ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Emërtimet dhe terminologjia e përdorur në këto lojëra ofrojnë një pasuri të rëndësishme për gjuhësinë dhe studimet kulturore.
Qëllimi i manifestimit është të ruajë, promovojë dhe ringjallë trashëgiminë kulturore të këtij rajoni, për të edukuar brezat e rinj dhe për të krijuar një ndërgjegjësim për vlerat dhe traditat e lashta.
Në përgjithësi, manifestimi kulturor synoj që të jetë një urë që të lidh të kaluarën me të ardhmen, duke siguruar që trashëgimia kulturore e këtij rajoni të mbetet i gjallë dhe i rëndësishëm për brezat e ardhshëm.
Lojërat janë të karaktereve të ndryshme, këto lojëra janë kategorizuar në lojëra me karakter blegtoral e bujqësor, lojëra me karakter luftarak, lojëra me karakter edukativ dhe lojëra me karakter argëtues, dhe nëpërmjet lojërave kanë zhvilluar aftësitë për punë, për kalitje, për shëndet të mirë, për përgatitjen e të rinjve për të mbrojtur atdheun, dhe për kalimin e netëve të gjata dimërore etj.
Lojërat popullore tradicionale paraqitën një traditë të vjetër të banorëve të fshatit, të cilat synojnë të ushqejnë traditat në Malësinë e Tetovës dhe të krijojnë ndjenja për traditën.
Lojërat ishin atraktive dhe autoktone që kultivohen me shekuj në këtë anë të Malësisë.
Qëllimi i Manifestimit ishte që të prezanton kulturën burimore-autoktone, folklorin dhe lojërat popullore tradicionale në Malësinë e Tetovës; të promovohet folklori burimor/origjinal i trevës së Pollogut dhe i Malësisë së Tetovës; të promovohen lojërat popullore origjinale-autentike; të kalitet dhe të ruhet trashëgimia popullore.
Rezultatet e pritura të manifestimit janë që të rinjtë e të rejat dhe brezat e ardhshëm të njihen me këto lojëra të cilat janë një thesar i jashtëzakonshëm i krijimtarisë së popullit tonë; që nëpërmjet lojërave popullore të ringjallen kujtimet për gjeneratat e reja; që të rinjtë t’i mësojnë dhe të argëtohen me to.
Manifestimi përmban një formë edukative të interesit kombëtar për kulturë dhe krijimtari kulturore.
Këtë vit ky manifestim u organizua për herë të dytë dhe mori statutin ,,tradicionale” që në të ardhmen të zgjerohet edhe me pjesëmarrjen e më shumë fshatrave të tjera të Malësisë së Tetovës për t’i shpalosur karakteret e lojërave të tyre, pasi që shumica e lojërave popullore janë mbarëshqiptare.
Manifestimit iu bashkëngjitën me kontributin e tyre edhe Shoqatat për kulturë, art dhe sport ,,Albanika ET”, ,,Rapsodia e Sharrit”, ,,Burimet e Sharrit”, ,,Gollden Ball”-Tetovë.
Shoqata për kulturë dhe art Intuita-Tetovë, falënderon të gjithë ata që kontribuan në organizimin e këtyre lojërave popullore me punën e tyre të palodhshme, poashtu Shoqata falënderon edhe mysafirët e respektuar që me pranin e tyre e nderuan këtë manifestim kulturor, Top24, gazetarin Nevrij Ademi, një falënderim i veçantë shkon edhe për bashkëfshatarët e m’i të Xhermës dhe kryetarin e Bashkësisë Lokale.
Këshilli organizativ i Shoqatës për këtë manifestim kulturor ndau Falënderime për pjesëmarrësit dhe fituesit e garave të lojërave popullore.

















