
Gavi mbylli sezonin pas dëmtimit të pësuar në gju gjatë ndeshjes Spanjë-Gjeorgji.
Një takim pa rëndësi të madhe, sepse iberikët kishin siguruar kualifikimin në Euro 2024 dhe vendin e parë në grup.
19-vjeçari i Barcelonës u largua nga fusha duke lotuar, ndërkohë që testet mjekësore konfirmuan këputjen e ligamentit të kryqëzuar të gjurit të djathtë.
Që do të thotë se Gavi ka mbyllur sezonin dhe ka humbur pjesëmarrjen në “Gjermani 2024”.
Dëmtimi i mesfushorit ka zemëruar drejtuesit e kampionëve të Spanjës.
Shtypi vendas shkruan se te Barcelona janë të tërbuar me drejtuesit e Federatës dhe stafin teknik të kombëtares spanjolle.
Pasi, sipas tyre, mund të evitohej aktivizimi i Gavit në këtë ndeshje të parëndësishme.
UEFA do t’u japë katalanasve si kompensim rreth 3-4 milionë euro, por asgjë nuk ngushëllon trajnerin Xavi, i cili duhet të bëjë pa shërbimet e Gavit deri në fundin e sezonit.
Ndërkohë, përpara ndeshjes me Gjeorgjinë, Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës, deklaronte: “Gavi është hiperaktiv, ai dëshiron të luajë gjithmonë. Lojtarët e mirë nuk pushojnë kurrë, prandaj janë kaq të veçantë”.