
Vaksinat që Greqia i paralajmëroi për Maqedoninë e Veriut pritet të mbërrijnë sot në Shkup. Bëhet fjalë për donacion prej 20.000 doza “Astra Zeneka”.
Siç njoftoi dje MIA, informacionin nga Athina e konfirmuan edhe nga Shkupi, ndërsa ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, mbrëmë, përmes Fejsbukut për donacionin komentoi se është “lajm i shkëlqyeshëm nga Greqia fqinje” dhe e falënderoi popullin grek.
“Ky donacion është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të dëshiroja të shpreh falënderim të madh popullit grek dhe ambasadorit të Republikës së Greqisë te ne, Rusos Konduros. Arritja e dozave të reja të vaksinave po zhvillohet me kohë dhe sipas kësaj imunizimi ka rrjedhë të shkëlqyer. Ju bëj thirrje që një numër sa më i madh i qytetarëve të regjistrohen në vakcinacija.mk“, shkroi në Fejsbuk mbrëmë vonë ministri Filipçe.
Kryeministri grek Kirjakos Micotakis në fund të majit nga Brukseli paralajmëroi se po shqyrtohet mundësia për ndihmë direkte bilaterale për vendet fqinje, ndërsa disa ditë më vonë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe zbuloi se Maqedonia e Veriut pret 70.000 doza vaksinash, nga të cilat 50.000 nga Bullgaria dhe 20.000 nga Greqia. Në fillim të këtij muaji, Peloni, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespondentes së MIA-s në Athinë, konfirmoi se Greqia, në koordinim me Komisionin Evropian, do të dërgojnë nga 20.000 doza vaksina për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Vaksinat nga Athina, për Tiranë janë dërguar dje, ndërsa dërgesa për Shkup do të mbërrijë sot.
Ministria e Shëndetësisë mbrëmë informoi se dje në vend ka ardhur dërgesë e re prej gjithsej 12.870 doza vaksinash “Fajzer”, duke shtuar se bëhet fjalë për dërgesën e rregullt të cilën vendi e merr çdo të hëne.
Nga vaksinat, 8.190 doza janë nga marrëveshja bilaterale me prodhuesin “Fajzer”, ndërsa 4.680 në kuadër të programit “Tim Evropa”



