
Dhjetëra mijëra pakistanezë janë në rrezik të humbin haxhin, pasi qeveria e tyre gabimisht ka dërguar paratë që ata kishin paguar për udhëtimin në një llogari të gabuar në Arabinë Saudite.
Duke e përshkruar këtë incident si “një nga skandalet më të mëdha në historinë e vendit”, Dogar bëri thirrje që qeveria të japë shpjegime pse rreth 50 milionë rialë sauditë (13,3 milionë dollarë) u transferuan gabimisht në një llogari që thuhet se lidhet me Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), në vend që të transferoheshin në Ministrinë Saudite të Haxhit. Marrësi i saktë i fondeve mbetet ende i paqartë.
“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për para. Bëhet fjalë për ëndrrat dhe besimin e 67 mijë pakistanezëve, të cilët tani mund të mbeten pa shkuar në haxh. Personat përgjegjës duhet të identifikohen – qoftë në ministri apo në mesin e operatorëve privatë që kanë shitur paketat për haxh. Nëse haxhi nuk mund të realizohet, paratë duhet të kthehen. Do të shqyrtojmë gjithashtu nëse dikush po përfiton nga paratë e haxhinjve”, tha Dogar.
“Paratë e dërguara nëpërmjet sistemit do të rikthehen. Ne tashmë kemi siguruar edhe 10 mijë vende shtesë, dhe janë duke u zhvilluar bisedime për të siguruar më shumë vende”, tha Yousaf.
Çdo vit, Arabia Saudite cakton një kuotë vendesh për haxh për vendet anembanë botës. Këtë vit, dokumentet e qeverisë pakistaneze tregojnë se Riadi i ka aprovuar Pakistanit rreth 179.210 vende.
Nga ky numër, zyrtarët qeveritarë ndanë 89.605 vende për ofruesit privatë të shërbimeve, ndërsa Riadi u dha autoriteteve pakistaneze edhe 10.000 vende shtesë.
Megjithatë, operatorët privatë arritën të plotësojnë vetëm 23 mijë nga vendet e ndara. Për këtë mungesë, ata fajësuan sistemin online të qeverisë saudite.
Ky gabim mund të ketë pasoja edhe për qytetarët pakistanezë me shtetësi të dyfishtë në Evropë, Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore, të cilët janë regjistruar për haxh përmes portalit pakistanez.
Mijëra njerëz janë mbështetur te kjo rrugë që nga koha kur Arabia Saudite mori kontrollin e sistemit të rezervimeve të haxhit për vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.
Megjithatë, gabimi i qeverisë pakistaneze po rrezikon gjithashtu edhe haxhin e tyre, ndërsa ata presin përgjigje nga agjencitë e tyre të udhëtimit.



