
Brendia e marrëveshjes së shumëtrumpetuar që synon fundin e konfliktit SHBA-Iran nuk është bërë ende publike, por CNN arriti të sigurojë një kopje të saj nga një zyrtar amerikan.
Një diplomat, i cili gjatë samitit të G7 në Francë pati mundësinë ta shohë memorandumin e mirëkuptimit, e ka konfirmuar përmbajtjen e tij dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe dy burime të tjera diplomatike që kanë dijeni mbi negociatat. Pavarësisht përpjekjeve të administratës Trump për ta paraqitur si një triumf, skepticizmi që rrethoi ujdinë, duket se tani po merr hov të ri. Pakti i mirëkuptimit, vëren BBC, angazhon miliarda dollarë për Iranin, i hap rrugën negociatorëve bërthamorë që të takohen sërish, dhe lejon kalimin në Ngushticën e Hormuzit, pikërisht siç ndodhte 24 orë përpara se SHBA dhe Izraeli të hynin në luftë.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga CNN, memorandumi në vetvete është një “dokument politik” dhe nuk pasqyron angazhime sekrete kyçe të Iranit për SHBA-në, veçanërisht për programin bërthamor. Ai pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten, duke nisur një afat 60-ditor për negocimin e kushteve përfundimtare të marrëveshjes. Cfarë përmban saktësisht marrëveshja:
Pika e parë: Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre në luftën aktuale, shpallin me nënshkrimin e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit një përfundim të menjëhershëm dhe të përhershëm të luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe angazhohen që nga ky moment të mos ndërmarrin veprime armiqësore kundër njëra-tjetrës dhe të mos përdorin apo kërcënojnë me forcë kundër njëra-tjetrës.
- Të dy palët angazhohen të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme.
- Palët angazhohen të negociojnë dhe të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me marrëveshje të ndërsjellë.
- Menjëherë pas nënshkrimit, SHBA heq bllokadën detare dhe ndalon çdo pengesë ndaj Iranit, duke rikthyer trafikun detar brenda 30 ditësh në kapacitet të plotë, në përpjesëtim me volumin para luftës. SHBA gjithashtu angazhohet të tërheqë forcat e saj nga zonat përreth brenda 30 ditëve pas marrëveshjes përfundimtare.
- Irani angazhohet që menjëherë të sigurojë rifillimin e lëvizjes së anijeve tregtare nga Gjiri Persik në Detin e Omanit dhe anasjelltas brenda 30 ditësh, duke marrë parasysh heqjen e pengesave teknike dhe neutralizimin e minave.
- SHBA, së bashku me partnerët rajonalë, angazhohen të krijojnë një plan gjithëpërfshirës për rehabilitimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit, me nujë financim minimal prej 300 miliardë dollarësh. Mekanizmi i zbatimit do të përcaktohet brenda 60 ditësh.
- SHBA angazhohet të heqë të gjitha llojet e sanksioneve ndaj Iranit, përfshirë rezolutat e OKB-së dhe të IAEA-s, si dhe sanksionet amerikane, sipas një afati që do të përcaktohet në marrëveshjen përfundimtare.
- Irani rithekson se nuk do të prodhojë kurrë armë bërthamore. Palët bien dakord që çështja e materialit të pasuruar dhe të gjitha çështjet e tjera bërthamore do të trajtohen në marrëveshjen përfundimtare.
- Deri në ujdine finale, palët ruajnë status quo: Irani mban programin e tij bërthamor në gjendjen aktuale, ndërsa SHBA nuk vendos sanksione të reja dhe nuk rrit forcat në rajon.
- Deri ne daten e heqjes se sanksioneve, SHBA do të lëshojë leje të veçanta për eksportet e naftës iraniane, produkteve petrokimike dhe shërbimeve të lidhura si bankat, sigurimet dhe transporti.
- SHBA angazhohet të zhbllokojë fondet dhe asetet e ngrira të Iranit dhe t’i bëjë plotësisht të disponueshme për përdorim, sipas mekanizmave të Bankës Qendrore të Iranit.
- Palët krijojnë një mekanizëm zbatimi për të mbikëqyrur marrëveshjen përfundimtare dhe angazhimet e ardhshme.
- Pas nënshkrimit dhe konfirmimit të nisjes së zbatimit të neneve 4, 5, 10 dhe 11, palët do të hyjnë në negociata për marrëveshjen përfundimtare vetëm për nenet e mbetura.
- Marrëveshja përfundimtare do të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.



