LajmeRajon

Marrëveshja për të pagjeturit, Bislimi tregon kur do të bëhet publike

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi në një paraqitje para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme dha detaje lidhur me takimin e 4 prillit në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Bislimi sërish theksoi se pala kosovare dhe ajo serbe janë dakorduar për deklaratën për të pagjeturit dhe se e njëjta pritet të aprovohet në takimin e radhës ndërmjet dy liderëve.

“Pika e katërt që është diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për personat  e zhdukur me dhunë. Teksti aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”, tha zëvendëskryeministri.

Ai bëri të ditur se kanë pasur vetëm një vërejtje në tekst dhe e njëjta është pranuar.

Zëvendëskryeministri bëri të ditur se në takimin e 4 prillit është diskutuar edhe për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, Lajçak ka propozuar që takimi i ardhshëm ndërmjet liderëve të mbahet më 22 prill dhe siç tha Bislimi, kryeministri Albin Kurti ka treguar gatishmëri.

Sipas zëvendëskryeministrit më pas ka ardhur një mesazh që presidenti i Serbisë nuk mund të udhëtojë në këtë datë dhe tashmë ka mbetur të diskutohet datë tjetër.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës po ashtu foli rreth idesë së BE-së për sekuencim

Ai tha se kjo është kërkesë e BE-së që sekuencimi të ndjek principin që palët në vazhdimësi të ofrojnë  diçka në mënyrë që të mos ketë përshtypje që vetëm njëra palë po jep.

Related Articles

Back to top button
Close
Close