
Turqia po punon që të bindë Rusinë dhe Ukrainën për t’u ulur sërish bashkë dhe për të negociuar një marrëveshje të re për grurin.
Marrëveshja e kaluar garantoi që nga gushti 2022 deri në korrikun e këtij viti, nga Deti i Zi të kalojnë 33 milionë tonë grurë, pavarësisht luftës Rusi–Ukrainë.
Moska është tërhequr prej një muaji me justifikimin se nuk janë përmbushur kushtet e saj, si mundësimi i eksporteve të plehrave kimikë rusë dhe kryerja e pagesave në monedhën e përcaktuar.
Mësohet se ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të vizitojë Ukrainën javën e ardhshme, pasi Kievi ka propozuar një rrugë të re për transportin e produkteve bujqësore, që i shmang ujërat ndërkombëtarë.
“Ministria jonë e Jashtme po punon për ta rikthyer marrëveshjen për grurin. Nuk ka një ftohje të marrëdhënieve ruso-turke. Nuk ka probleme mes presidentit [Vladimir] Putin dhe presidentit tonë [Recep Tayyip Erdogan], i cili është i vetmi lider shtetëror i NATO-s që mban një dialog direkt me të dy liderët e Rusisë dhe Ukrainës,” tha për CNN Turk, këshilltari i presidentit Erdogan.
Presidenti turk ka deklaruar se shpreson që ta takojë homologun Putin brenda muajit.
Përpjekjet për një marrëveshje për eksportin e grurit po intensifikohen edhe nga Kombet e Bashkuara, pasi mungesa e një ujdie dypalëshe Rusi–Ukrainë mund të sjellë përsëri rritjen e çmimit të këtij drithi në tregjet ndërkombëtare.



