
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski mohon se në vendin tonë ka urrejtje dhe histeri antibullgare, ndërkaq shefi i diplomacisë Bujar Osmani, konsideron se ka filluar sezoni i provokimeve dhe përfituesve politik.
Pas vendimit të Sofjes zyrtare që të thërret ambasadorin e akredituar në Shkup, shefi i diplomacisë Bujar Osmani konsideron se Republika e Bullgarisë ka rënë nën ndikimin e provokimeve të atyre që duan të dëmtojnë përpjekjet e dy qeverive për marrëdhënie stabile pozitive.
“Ministria e Punëve të Jashtme me vëmendje i ndjek deklarimet dhe aktivitetet që vijnë nga Republika e Bullgarisë dhe me keqardhje konstaton se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në harmoni me praksën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve reciproke. Përkundrazi, paraqesin gjunjëzim para provokimeve të atyre që duan të dëmtojnë përpjekjet e të dy vendeve për zhvillim stabil dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.”, – theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Milloshovski: Pasojë e servilitetit ndaj palës bullgare
Sipas opozitës maqedonase kjo situatë po ndodh për shkak të pavendosmërisë dhe servilitetit ndaj palës bullgare.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski kërkoi nga kryeministri Dimitar Kovaçevski të sqarojë se çfarë po ndërmerret për individë dhe organizata bullgare që sipas tij mund të rrezikojnë rendin dhe qetësinë.
“Konsideroj se ato deklarata provokuese nxisin atmosferë në të cilën ndodhin incidente. Ndërkaq, ju me pavendosmërinë tuaj pasi zgjodhët që të jeni servil lini hapësirë për deklarime të tilla dhe lini hapësirë që në shoqëri të ndodhin incidente.”, – deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Kovaçevski:Pas incidenteve ka persona përgjegjës
Për të gjithë incidentet ka persona përgjegjës dhe nuk mund të akuzohet një shtet për veprimet e disa individëve, thotë Kovaçevski. Siguron se në ditën e shënimit të lindjes së Goce Delçevit, shteti do të merr të gjitha masat që të mos ndodh ndonjë incident të ri.
“Konformë raporteve dhe analizave që kanë shërbimet e sigurisë së shtetit dhe MPB-ja, në këtë periudhë MPB do të veprojë konformë informatave dhe konformë konkluzës së qeverisë MPB do të jetë e angazhuar të sigurojë nderime të sigurta dhe të qeta më katër shkurt në ditëlindjen e Goce Delçevit.”, – u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ekzekutivi konsideron se luhatja e përkohshme e marrëdhënieve mes dy vendeve nuk pritet të ndikojë në procesin integrues, pasi siç thonë ky proces zhvillohet me Unionin Evropian.



