BotaLajmeTopLajm

Malësi e Karabakut, Azerbajxhani çliron qytetin dhe disa fshatra

Presidenti Aliyev tha se vendbanimi Hadrut në veri të qytetit Ceyrayil, si dhe disa fshatra janë bashkuar me pjesën tjetër të territorit të Azerbajxhanit në një “fitore historike”

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka deklaruar se ushtria e vendit të tij ka çliruar disa vendbanime të tjera nga pushtimi armen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim para publikut, presidenti Aliyev tha se vendbanimi Hadrut në veri të qytetit Ceyrayil, si dhe disa fshatra, përfshirë Chayli, Yukhari Guzlak, Gorazilli, Gishlag, Garajalli, Afandilar, Suleymanli dhe Sur, janë bashkuar me pjesën tjetër të territorit të Azerbajxhanit në një “fitore historike”.

Me çlirimin e vendbanimit Hadrut, njoftoi Aliyev, krahina Fuzuli u rrethua dhe u la një korridor i ngushtë që njerëzit të largohen nga atje.

“Ne do t’i marrim tokat tona. Ne duam t’i marrim ato në një mënyrë paqësore”, tha presidenti azerbajxhanas.

Ai po ashtu paralajmëroi se pala armene do të pendohet nëse vazhdojnë me “mashtrime” pas takimit konsultativ trepalësh që po mbahet në Moskë midis kryediplomatëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë, ku po diskutohet mbi konfliktin në Malësinë e Karabakut.

“Ne po i japim Armenisë një mundësi të fundit. Ata nuk duhet të vendosin besimin e tyre mbi askënd”, tha Aliyev.

Konflikti në Malësinë e Karabakut 

Luftimet në Malësinë e Karabakut filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.

Marrëdhëniet midis dy republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.

Shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua në vitin 1992 për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani nuk është parë ndonjë rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u ra dakord për një armëpushim.

Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusia, Franca dhe SHBA, kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm.

Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close