BotaLajmeTopLajm

Macron dakord me planin e Biden: Lufta në Gaza duhet të përfundojë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është tërësisht dakord me planin e homologut të tij amerikan, Joe Biden, për të pushuar përfundimisht luftën në Gaza.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Macron shkruan se ai e mbështet propozimin amerikan për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

“Ne mbështesim propozimin e SHBA-ve për një paqe të qëndrueshme. Ashtu siç po punojmë me partnerët tanë në rajon për paqen dhe sigurinë për të gjithë”, shkruan ai.

Teksa, më tej, thotë se lirimi i pengjeve, një armëpushim i përhershëm për të punuar drejt paqes dhe përparimit në zgjidhjen me dy shtete është i domosdoshëm.

Cili është plani i Biden?

Presidenti amerikan Joe Biden ka paraqitur një propozim të ri izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza me Hamasin.

Ai thotë se Izraeli ka ofruar një udhërrëfyes me tre faza – që përfshin një armëpushim gjashtë-javor që do të bëhej i përhershëm dhe më pas rindërtimi i Gazës me ndihmën ndërkombëtare.

Biden pranon se negociatat ndërmjet fazës së parë dhe të dytë do të ishin të vështira.

Por ai thotë se liderët palestinezë dhe izraelitë duhet të bashkohen për të rindërtuar Gazën, pa lejuar Hamasin të riarmatoset.

“Civilët palestinezë do të kthehen në shtëpitë e tyre në të gjitha zonat e Gazës, duke përfshirë veriun, dhe ndihma humanitare do të rritet me 600 kamionë që sjellin ndihma në Gaza çdo ditë, gjatë fazës së parë gjashtëjavore. Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë marrëveshjet e nevojshme për të arritur në fazën e dytë, që është ndërprerja e përhershme e armiqësive”, tha Biden.

Presidenti më pas pranoi se ky raund i mëtejshëm negociatash do të jetë i vështirë dhe shpjegon se propozimi në tryezë do të lejojë që faza e parë të zgjatet përtej gjashtë javësh me kusht që negociatat midis Izraelit dhe Hamasit të vazhdojnë.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari do të punojnë për të siguruar vazhdimin e bisedimeve derisa të arrihet një marrëveshje, tha Biden.

Pasi të finalizohen këto kushte, mund të fillojë faza e dytë, e cila do të çojë në lirimin e të gjithë pengjeve të gjallë izraelitë, përfshirë ushtarët meshkuj. Gjatë kësaj faze, forcat izraelite gjithashtu do të tërhiqen nga Gaza, shtoi ai.

“Nëse Hamasi mban angazhimet e tij, armëpushimi i përkohshëm do të bëhet i përhershëm”, tha Biden, duke cituar tekstin e marrëveshjes.

“Më në fund, në fazën e tretë, do të fillojë një plan madhor për rindërtimin e Gazës dhe eshtrat e pengjeve të fundit të vrarë do t’u kthehen familjeve të tyre”, tha Biden.

“Kjo është oferta që ne kemi në tavolinë”.

Forcat izraelite janë aktualisht në Rafah qendrore, në jug të Gazës, por në fillim të kësaj jave Shtëpia e Bardhë tha se IDF nuk kishte kaluar asnjë “vijë të kuqe” të vendosur nga Biden.

Të dielën, një sulm izraelit dhe një zjarr si pasojë vranë të paktën 45 palestinezë në Rafah, duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close