
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka deklaruar se nëse PDK arrin marrëveshje bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, ai do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj.
Lushtaku tha se PDK nuk do duhej të bashkëpunonte me një subjekt politik që gjuhën helmuese dhe degraduese e ka në rend të parë.
“Nëse Partia Demokratike e Kosovës arrin marrëveshje ose lidhë koalicion me LVV-në unë automatikisht jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës në Skenderaj. Ata e dijnë ma mirë janë kryesia e partisë por për mua është e papranueshme bashkëpunimi me një subjekt politik që gjuhën helmuese e ka në rend të parë…”., ka thënë Lushtaku për RTV 21.
Lushtaku së fundi është përfshirë në një përplasje në rrjete sociale me zyrtarë të VV-së, të cilët vazhdojnë ta sulmojnë atë me gjuhë të ashpër, derisa edhe reagimet e tij kanë qenë të vazhdueshme ndaj eksponentëve të partisë në pushtet.



