
Futbollistët e Kombëtares shqiptare, Odise Roshi dhe Klaus Gjasula, patën grumbullimin e fundit me Kombëtaren në ndeshjen kundër Çekisë.
Në një intervistë të dhënë për emisionin “MaxSport” në Euronews Albania, futbollistët treguan emocionet e vendimit për t’u tërhequr nga Kombëtarja shqiptare, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme me ngjyrat kuqezi.
Roshi rrëfeu edhe emocionet personale dhe ato të prindërve, të cilët ishin në stadium për paraqitjen e fundit të tij.
“Kishte pak lot. Lot i brendshëm nga unë. Familjarët ishin këtu, më thanë si nëna dhe babai, ‘Jemi shumë krenarë për atë që ke arritur, mos e vrit mendjen dhe tani shpresojmë që njëri nga çunat të bëhet futbollist,’” tha Roshi.
Roshi zbuloi dhe mesazhin emocionues që nëna i kishte dërguar me lot në sy.
“Më emocionuese ka qenë prej nënës, më ka shkruajtur mesazh me lot në sy, më tha jam shumë e lumtur prej teje dhe atë që ke arritur!”, tha Roshi.
Edhe Gjasula tha se është emocionuese që të luash ndeshjen e fundit me Kombëtaren, pasi e di që më vonë do të mungojë çdo gjë, nga shokët e ekipit, te ndeshjet emocionuese dhe dashuria e publikut.
“Ky është futbolli. Para ndeshjes e dimë që do vish këtu, por kur je në fushë e kupton që është hera e fundit dhe të dhemb. Nga Kombëtarja do më mungojnë të gjitha, stërvitja me çunat, ndeshjet, tifozët, gjithçka,” tha Gjasula.



