
Studiuesi Afrim Krasniqi ka reaguar lidhur me kontratën e lobimit prej 6 milionë eurosh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si shumën më të madhe të paguar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar për këtë qëllim.
“Kjo është vlera më e lartë e paguar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Jam i habitur sepse bëhet fjalë për përfaqësimin e një partie politike dhe interesat e saj në shtetin kryesor demokratik të botës,” tha Krasniqi gjatë një interviste në emisionin Debat në A2CNN.
“Nëse mbrohet për dy javë vota, atëherë çfarë do të mbrohet për dy vjet? Supozohet që pas zgjedhjeve PD-ja do të fitojë, pra nuk do të ketë më nevojë për mbrojtje të tillë. Kontrata meriton, së pari, një hetim nga organet ligjzbatuese, pasi është detyrim ligjor për ta bërë këtë. Së dyti, sipas Kodit Zgjedhor dhe ligjit për partitë politike, 60 ditë pas zgjedhjeve PD-ja duhet të dorëzojë në KQZ formularin e shpenzimeve, ku të përfshihet edhe kjo shumë dhe të gjithë individët që kanë bërë pagesa,” theksoi Krasniqi.



