
Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nisi sot seancën e parë plenare, por jo sipas traditës parlamentare. Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, një vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare në llozhat e Kuvendit. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, mes tyre Sokol Sadushi dhe Holta Zaçe.
Në fjalën e tij hapëse, Llajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike, duke theksuar se misioni i këtij Kuvendi është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ai tha se ndasitë politike janë pjesë e pandashme e jetës parlamentare, por qëllimi i përbashkët duhet të mbetet integrimi evropian.
“Jeta politike nuk matet vetëm me rini, por edhe me përvojë dhe bashkëpunim mes tyre. Politika ka kuptim kur prek jetën reale të njerëzve. Qytetarët presin gjuhë më të matur dhe më të besueshme, detyrimi ynë është ta kthejmë në realitet,” u shpreh Llajo.
Më tej, ai shpalli ngritjen e Sekretarisë së përkohshme të Kuvendit, e cila do të merret me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve të rinj. Sekretaria përbëhet nga tre deputetet më të reja në moshë: Marjana Koceku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Capja.
Seanca nuk kaloi pa tensione. Në momentin kur Llajo lexoi emrat e deputetëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike shpalosi disa pankarta me fytyrat e ministrave të kabinetit qeveritar dhe me mbishkrimin “Karteli 2030”, duke protestuar kundër mazhorancës.




