
Për situatën që po mbizotëron në Gostivar ditët e fundit, do të diskutohet në një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të komunës së Gostivarit.
Së shpejti duhet të mblidhet Shtabi i krizës ku duhet të merren vendime për tejkalimin e problemeve me numrin në rritje të të sëmurëve, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Në konferencën për shtyp, ai theksoi se drejtori i Ndërmarrjes Publike “Komunalja” është suspenduar së bashku me disa persona tjerë që janë përgjegjës për furnizimin me ujë të qytetit.
Limani u bëri thirrje institucioneve të kryejnë punën e tyre në mënyrë objektive dhe se do të bashkëpunojnë me to derisa të sqarohet rasti dhe të tejkalohet situata.
Pushteti lokal do të shpallë një numër ku qytetarët që nuk kanë mundësi të sigurojnë ujin e pijshëm, të mund ta marrin atë më afër shtëpive të tyre.
Ai shprehu mirënjohje për të gjitha kompanitë dhe individët që kohët e fundit janë angazhuar për tejkalimin e mungesës së ujit të pijshëm.



