LajmeMaqedoni

LIGJET PËR ARSIMIN T’I KTHEHEN DEBATIT PUBLIK! Vijojnë reagimet ndaj MASH-it

Paketa ligjore me ndryshimet në arsimin fillor dhe të mesëm vijon të nxisë debate në opinion. Mungesa e dëgjesave publike, anashkalimi i vërejtjeve të bëra, mospërfshirja e ekspertëve…, kanë sjellë reagime që vijojnë edhe jashtë Parlamentit. Komisioni i Antidiskriminimit kërkon nga Parlamenti transparencë dhe debate publike.

Ndërsa brenda Parlamentit shqyrtimi i disa propozim-ligjeve dhe ndryshimeve ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm është shoqëruar me polemika, reagimet negative vazhdojnë të jenë edhe më të zëshme në publik. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Diskriminimit (KPMD), ka reaguar rishtazi, duke i kërkuar Parlamentit që të organizojë debate publike përpara miratimit të tyre. Në një reagim publik ata kërkojnë gjithëpërfshurje dhe transparencë nga ana e Parlamentit. Duke theksuar se Komisioni ka një interes të madh për ndryshimin dhe plotësimin e këtyre ligjeve, sepse arsimi është një fushë kyçe në të cilën duhet të promovohet barazia për nxënësit që nga mosha më e re, për t’u mbrojtur nga diskriminimi dhe dhunën e njëanshme.

“Si Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, ne kemi autoritet të drejtpërdrejtë ligjor për të dhënë komente dhe mendime për ligjet nga aspekti i barazisë dhe mosdiskriminimit dhe të marrim pjesë në miratimin e tyre. Duke pasur parasysh se në një shoqëri demokratike vendimet ligjore merren me një qasje gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, ne apelojmë që këto ligje të miratohen në mënyrë transparente, me afate reale për paraqitjen e propozimeve dhe komenteve dhe duke organizuar dëgjesa publike me qëllim të përmirësimin e legjislacionit në fushën e arsimit dhe ndërtimin e një sistemi arsimor më cilësor dhe më gjithëpërfshirës për të gjithë”, thonë nga KPMD.

Reagime ka pasur edhe nga opozita. Në një konferencë për mediat të martën e Lidhjes Social Demokrate, deputetja Daniela Nikollova, i ka cilësuar taktika destruktive mënjanimin e opinionit në hartimin dhe ndryshimin e ligjeve.

“Ajo që morëm si tekst ligjesh është një përmbysje e zgjidhjeve të propozuara, heqja e të drejtës së votës nga gjimnazistët, legalizimi i diskriminimit, kthimi prapa procesit të përfshirjes në arsim,…Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport, si dhe ministrja Janevska, nuk e kanë treguar kapacitetin e tyre demokratik dhe nuk e kanë pranuar propozimin tonë për debat publik. Ata përjashtuan opinionin dhe komunitetin e ekspertëve nga shprehja e mendimeve dhe argumenteve të tyre”, ka thënë Nikollovska.

Ajo ka shtuar se Këto projektligjet janë në dëm të fëmijëve me aftësi të kufizuara, në dëm të fëmijëve viktima të dhunës së bashkëmoshatarëve, në dëm të gjimnazistëve që do të humbasin të drejtën e organizimit gjatë shkollës së mesme. Reagime këto ditë ka pasur edhe nga pjesa shqiptare. Vendosja e këndimit të detyrueshëm të himnit nacional hasi në debate në komision duke u cilësuar si diskriminues për nxënësit shqiptarë.

Paketa ligjore që disa muaj më parë mori vërejtje edhe sa i takon zëvendësimit të diskriminimit sipas “gjinisë”, “identitetit gjinor” dhe “orientimit seksual”, me “dhe të tjera”. Këto ndryshime alarmuan aktivistët për mbrojtjen nga diskriminimi, duke e cilësuar si rastin e parë të regresionit të mbrojtjes nga diskriminimi në legjislacion. Nga ana tjetër, me miratimin e këtyre ndryshimeve, ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm do të jenë në kundërshtim me dispozitat dhe frymën e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në të cilin gjinia, orientimi seksual dhe identiteti gjinor njihen si bazë për diskriminimi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close