
Deputeti Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE, ka dorëzuar në Kuvend propozim-ligjin për kufizimin e qarkullimit të trotinetëve elektrikë. Ai deklaroi për Ora24.tv se qëllimi i këtij ligji është rritja e sigurisë në komunikacion dhe ulja e numrit të aksidenteve, veçanërisht te të miturit që përdorin këto mjete.
“Bëhet fjalë për ndryshime në Ligjin për Sigurinë Rrugore. Po përgatisim disa ndryshime revolucionare dhe radikale, sepse siguria e personave që lëvizin me mopeda, trotinetë elektrikë dhe motoçikleta është në nivel shumë të ulët.
Analizat e realizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera tregojnë se kemi shumë të rinj të lënduar nga përdorimi i këtyre mjeteve. Për këtë arsye kemi vendosur të procedojmë me ndryshime në Ligjin për Sigurinë Rrugore, ku do të rregullohet përdorimi i këtyre mjeteve të lehta elektrike.
Çfarë përfshin ky rregullim? Konkretisht, ato do të mund të drejtohen me shpejtësi deri në 20 kilometra në orë, në përputhje me rregulloret evropiane. Gjithashtu, po rrisim në mënyrë radikale moshën minimale për përdorimin e tyre. Mosha minimale do të jetë 18 vjeç.
Pse po e bëjmë këtë? Sepse analizat tona tregojnë se shumica e rreth 2.500 aksidenteve në trafik janë shkaktuar nga drejtues të këtyre mjeteve elektrike, kryesisht të moshës 16 dhe 17 vjeç.
E dimë se kjo është një masë radikale, por duhet të fillojmë kështu për sigurinë e publikut. Më pas, në varësi të efekteve që do të ketë ligji, ky kufi mund të ulet.
Për më tepër, për të gjithë ata që do të kapen duke shkelur rregullat, do të ketë gjoba, të cilat do t’i paguajnë prindërit e tyre, si dhe sekuestrim të përkohshëm të mjeteve për 30 ditë, derisa prindërit t’i tërheqin nga vendi i sekuestrimit.
Ne besojmë se ky ligj është disi radikal, por njëkohësisht edhe revolucionar, sepse deri më tani këto automjete elektrike nuk kanë qenë të rregulluara në trafik. Ky është një hap fillestar drejt vendosjes së rendit, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e sigurisë në komunikacion”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski për Ora24.tv.



