
FC Shkupi ka publikuar lajme të mira për tifozët e kësaj skuadre të Ligës së Parë të Futbollit vendor.
Siç thuhet në një komunikatë zyrtare të FC Shkupit, prej sot zyrtarisht nuk ka më ndalesë nga FIFA për transfere dhe regjistrimin e futbollistëve, që ky klub e kishte për shkak të borxheve.
“Siç kemi bërë të ditur edhe më herët, të gjitha borxhet e klubit ishin shlyer në afat dhe të gjitha detyrimet ishin përmbushur në kohë. Megjithatë, ndalesa nuk u hoq menjëherë për shkak të disa problemeve teknike dhe procedurave burokratike, të cilat tashmë janë zgjidhur plotësisht” – thuhet në komunikatën e FC Shkupi.
Ky proces, ndonëse jashtë vullnetit të tyre, sic thuhet në komunikatë, ka qenë një sfidë që është përballuar me seriozitet dhe përkushtim, gjithmonë duke pasur si qëllim mbrojtjen e interesave të klubit.
“Përkushtimi i menaxhmentit të ri, ka qenë maksimal për të tejkaluar këtë situatë, duke ndjekur çdo hap ligjor dhe procedural deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes” – thonë nga FC Shkupi.
FC Shkupi falënderon të gjithë tifozët dhe mbështetësit për durimin, mirëkuptimin dhe përkrahjen e vazhdueshme. Besimi dhe dashuria juaj ndaj klubit, janë forca jonë më e madhe – thonë nga klubi nga Çairi.
“Shikojmë përpara me optimizëm dhe përkushtim, duke qenë të vendosur që të vazhdojmë rrugën drejt synimeve tona, me besim të plotë në skuadrën që kemi. Faleminderit që jeni gjithmonë me ne!” – thuhet në komunikatën zyrtare të FC Shkupi.



