LajmeRajonTopLajm

Lajçak i ka dorëzuar Prishtinës një propozim të ri të Brukselit

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, i ka prezantuar Prishtinës zyrtare propozimin e ri të Brukselit për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës, mëson REL nga burime diplomatike, përcjell voxnews.

Këtë propozim, siç mëson REL, e ka pranuar negociatori kosovar Besnik Bislimi, në takimin e mbajtur të martën (15 nëntor) në Bruksel. Pala evropiane pret një përgjigje – nëse autoritetet e Kosovës e pranojnë propozimin e ri.

Ndonëse nuk ka shumë detaje se çfarë përmban propozimi i ri i Brukselit, burimet e REL konfirmuan se bëhet fjalë për gjetjen e një zgjidhjeje kalimtare në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i ngjarjeve që mund të ndodhin më 21 nëntor kur autoritetet kosovare pritet të fillojnë gjobitjen e pronarëve të automjeteve me targa të Serbisë në Kosovë.

Siç ka mësuar REL, nuk përjashtohet mundësia që një nga elementët e propozimit të fundit të jetë shtyerja e aplikimit të gjobave për një periudhë të caktuar kohore prej rreth 10 muajsh.

Në rast se Prishtina i përgjigjet me shpejtësi këtij propozimi, Lajçak pritet të udhëtojë një ditë më pas për në Beograd, ku do të zyrtarizohet marrëveshja për zgjidhjen e krizës.

BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga Prishtina që të heqë dorë nga vendosja e gjobave si dhe ka kërkuar edhe shtyerjen e zbatimit të urdhërit për heqjen e targave të lëshuara nga autoritetet administrative serbe dhe të shfrytëzuara nga qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close