LajmeRajon

Kurti: Kosova po përforcohet si destinacion i preferuar për investime në energji

Kryeministri Albin Kurti, pas përmbylljes me sukses të procesit ofertues për Ankandin Solar Fotovoltaik prej 100 megavatëve, tha se kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti dhe se çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike.

Në ankandin elektronik për projektin e parë solar prej 100 megavatëve, ai tutje tha se si qeveri synojnë të punojnë dhe të krijojnë një sektor energjetik që është i sigurt e që vendos qytetarin e Kosovës në qendër.

“Pesë kompani nga Franca, Turqia, Egjipti dhe Zvicra e Kosova, të gjitha lidere të sektorit, asnjëra këtu nuk është rastësisht. Përgjatë më se një viti, institucionet e Kosovës të udhëhequra nga Ministria e Ekonomisë, kanë punuar me mund dhe nder për të zhvilluar një proces transparent dhe të barabartë. Rezultatet e kësaj pune tashmë po i gëzojmë jo vetëm me përmbylljen e ankandit tonë të parë, por me përforcimin e statusit të vendit tonë si destinacion i preferuar për investime në energji, falë politikave stabile të ambientit të sigurt për të bërë biznes. Kapacitetet e energjisë elektrike përkojnë me zhvillimin ekonomik të një shteti. Çdo megavat i ri i instaluar paraqet një potencial më të madh të prodhimit e të rritjes ekonomike si dhe të përmirësimit të mirëqenies sociale. Për ne, zhvillimi i megavatëve është edhe pasqyrë e parimeve të qeverisjes. Si qeveri synojmë të punojmë e të krijojmë një sektor energjetik që është i sigurt, që e vendos qytetarin e Kosovës në qendër e që ec në hap me zhvillimet botërore. Ankandi solar 100 megavatësh është pasqyrim i këtyre synimeve”, u shpreh Kurti.

I pari i qeverisë tutje tha se Parkun Solar kanë vendosur ta ndërtojnë në tokë publike, pasi siç tha ai, publikes do t’i shërbejë.

“Themi për një sektor energjik të sigurt sepse po i shtojmë 100 megavatë të ri në prodhimin tonë të energjisë. Themi për një sektor energjetik që vendos qytetarin në qendër të tij, sepse me zgjedhjen e procedurës konkurruese jemi siguruar që do të nxjerrim çmimin më të ulët për blerjen e energjisë. Kjo energji do të jetë e pastër e do të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e secilit. Parkun Solar kemi vendosur ta ndërtojmë në tokë publike sepse publikes do t’i shërbejë. Për herë të parë në rajonin tonë po zhvillojmë një proces si ky i sotmi ku çmimet do të jepen në kohë reale e transparencë të plotë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e Ministrisë së Ekonomisë, institucioneve të tjera të përfshira dhe bashkëpunimin me asistencë nga USAID-i”, tha Kurti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close