LajmeRajonTopLajm

Kurti: Heqja e vizave nuk varet prej meje, ka ende ndonjë vend të BE-së kundër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se ka ende “ndonjë vend anëtar” në Bashkimin Evropian që nuk aprovon heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në një fjalim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të enjten, Kurti tha se çështja e liberalizimit të vizave nuk varet prej qeverisë së tij.

“Kjo është qeveri që asnjëherë nuk ka bërë afate lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. As në fushatë, as në qeveri. Keni pasur shembuj në të kaluarën kur thuhej 15 muaj, 19 ditë, sivjet, vitin e ardhshëm: Por mua nuk më keni dëgjuar ashtu, sepse e di që ajo punë nuk varet prej meje”, deklaroi Kurti.

Shefi i ekzekutivit tha se skepticizmi për liberalizimin e vizave “ishte i brendshëm i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.

“Në muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave, por kjo nuk po ndodh për shkak të ndonjë vendi anëtar i cili refuzon e reziston”, u shpreh kryeministri. “Ka ndonjëherë deklarata nga Brukseli të cilat nuk janë në linjë as me vet Brukselin, ne përpiqemi që me durim dhe përkushtim t’i sqarojmë ata por nuk kemi çfarë më shumë bëjmë sesa kaq”.

Partia Demokratike e Kosovës kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me integrimet evropiane dhe trans-atlantike.

Related Articles

Back to top button
Close
Close