LajmeRajon

Kurti fajëson qeveritë e kaluara për krizën elektrike: Ishte më me leverdi të vidhej në KEK sesa të investohej

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka fajësuar qeveritë e kaluara për gjendjen aktuale me energji elektrike, duke thënë se më leverdi ishte që të vidhej në KEK- se sa të investohej në riparime në këtë sektor.

Ai në një konferencë për media tha se për dy dekada nuk ka pasur riparime të qëndrueshme në sektorin energjetik për termocentralet e Kosovës, të cilat do të siguronin prodhim të mjaftueshëm mbi kapacitetet ekzistuese.

“Ishte më me leverdi që të vidhej nga KEK-u sesa të investohej në këtë. Por ne jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur përtokë në të gjitha drejtimet por së bahsku do ta ngitim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë të na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja në të cilën na lanë shtetin”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti ka theksuar se si rezultat kapaciteti gjenerues nga termocentralet janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesat në kohën e pikut dhe se Kosova po varet nga importet.

“Në momentin që po flasim kemi energji elektrike rreth 390 megavat prej blloqeve të Kosovës A… Duke ndjekur shembullin e shteteve evropiane qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve dhe do të bëmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike… Çmimet e tilla mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar, por është e rëndësishme që tash të kursejmë energji elektrike maksimalisht. Qeveria që unë e udhëheq do të trajtojë të gjitha problemet në fushën e energjisë brenda këtij mandati. Strategjia të cilën pres ta prezantoj para jush brenda gjysmës së vitit të parë 2022 është vetëm hapi i parë në këtë drejtim. Unë zotohem për siguri të furnizimit me tranzicion të qëndrueshëm e me çmime të përballueshme”, tha Kurti.

Ai tha se kanë miratuar në qeveri vendimin me të cilin i kanë kërkuar presidentes Vjosa Osmani për vënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e kredisë ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW gjermane për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë për përmirësimin e rrjetit të transmetimit.

“Sa i përket vendimit lidhur me marrëveshjen e kredisë ndërmjet Kosovës, KOSTT-it dhe KfW, pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës, menjëherë vitin e ardhshëm do të fillojmë me implementim. Ne do të bëjmë krejt çka dimë e mundemi që t’u dalim në ndihmë qytetarëve për furnizim më të qëndrueshëm e çmime të përballueshme. Ne e dimë se kemi popullsinë e varfër edhe atëherë kur çmimet nuk janë të larta, janë të larta… Unë pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë ose duke udhëtuar nga një vend në një vend tjetër, por mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka thënë se kanë pasur takime me autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore për të gjetur një zgjidhje rreth furnizimit me energji elektrike. Ajo tha se thirrja për kursim të energjisë elektrike ka pasur efekt, për çka ka falënderuar qytetarët, teksa ka sqaruar edhe njëherë çështjen e kursimit.

“Në fakte, konsolat e video-lojërave shpenzojnë më shumë se sa kishim menduar. Më saktësisht Play Station 4 8/.5 vat në standby, RBox one 15.7 vat, Nintendo switch 7.5-18 vat gjatë akumulimit. Gjenerata e re e video-lojërave mund të ketë ndikim të madh në konsumin e energjisë elektrike në shtëpinë tuaj… Ne nuk e kemi shpikur, këto janë udhëzime nga ekspertët në bazë të matjeve”, tha ajo.

Nagip Krasniqi, drejtor në KEK, ka bërë të ditur gjendjen aktuale në prodhimin me energji elektrike në vend. Ai tha se nesër pritet të kthehet në punë blloku B1 me të cilin do të kthehet edhe furnizimi me ngrohje në Termokos.

“Sa i përket prodhimit të qymyrit mund t’ju siguroj se qymyr kemi mjaftueshëm dhe sasitë aktuale janë rreth 420 mijë ton në deponi, përderisa në muaj jemi në gjendje të prodhojmë diku 800 mijë tonë kështu që sa i përket qymyrit nuk presim ndonjë pengesë të të gjitha njësive që kemi në operim, duke përfshirë pesë njësi në plan. Në TC A kemi futur tri njësi në operim. Te Kosova B kemi pasur probleme të avarisë që ndikuan që këto njësi të bien nga prodhimi. Ajo që është premtuese për njësinë B1 se nesër në mëngjes të hyjë në operim dhe të kthehet dhe me këtë presim të kthehet edhe ngrohja qendrore e Termokosit”, tha ai.

Ndërsa njësia B2, ka shtuar ai, ka pasur një avari më e vështirë dhe ende nuk dihet se kur do të kthehet në funksion./KosovaPress/TCH

Related Articles

Back to top button
Close
Close