
Kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.
Ajo para takimit tek shefi i ekzekutivit kosovar është pritur nga kryekuvendarja Albulena Haxhiu, njofton Klankosova.tv.
Ministrja për Europën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali gjatë një konference për media pas takimit që pati gjatë ditës me homolgun kosovar, Glauk Konjufca tse në vizitën e parë në Prishtinë në këtë pozitë, e kishte për privilegj që ta bënte menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova për Shqipërinë nuk është një zgjedhje protokolli, por një zgjedhje historike e politike, transmeton Klankosova.tv.
“Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është një kapitull i zakonshëm i diplomacisë, është vijmësi i një rrugëtimi të përbashkët të skalitur në sakrificë, në qëndresë dhe në vendosmëri historike për përparim kombëtar”, tha ajo para mediave.
Për luftën e Kosovës, Spiropali tha se bota e pa një popull që nuk rreshti së kërkuari lirinë, ndërsa për Ditën e Pavarësisë, ministrja tha se ishte dita kur Kosova fitoi vendin e saj në hartën e botës.
“Viti 2026 duhet të jetë momenti i konsolidimit të plotë të subjektiviteti të saj ndërkombëtar dhe i mbylljes përfundimtare të çdo paqartësie për vendin e saj në Evropë”, shtoi ajo.
Gjatë vizitës së sotme në Prishtinë, shefja e diplomacisë shqiptare do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e partive kryesore parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe AAK-së, Ramush Haradinaj.



