LajmeMaqedoniTopLajm

“Ktheni pagat”, Taravari i përgjigjet Kostadinovit të LSDM-së

“Nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Të Majtës, duan ta bllokojnë Kuvendin, le t’i kthejnë pagat që i marrin. Partitë e të gjithë partive politike e kanë për obligim ndaj qytetarëve që të kryejnë punën, për çfarë marrin paga”, deklaroi kështu sot deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së Kostadin Kostadinov, në konferencë për shtyp, duke kritikuar partitë opozitare për bllokim të Kuvendit.

Ndaj kësaj deklarate të Kostadinov ka reaguar Sekretari i ASH-së, Arben Taravari, i cili thotë se Koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa po bën saktësisht punën për të cilën ka marrë besimin e sovranit dhe shton se i vjen mirë që deputeti qenka i brengosur për paratë e tatimpaguesit.

Taravari, siç ia shkruan, i kujton deputetit se nuk është ai që vlerëson punën e kolegëve të tij por sovrani.

Reagimi i plotë i Arben Taravari:

Deputeti i SDSM-së Kostadin Kostadinov paska kërkuar nga deputetët tanë që t’i kthejnë pagat sepse sipas tij nuk e paskan kryer punën për të cilën paguhen.

E para, i kujtojmë deputetit se Koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa po bën saktësisht punën për të cilën ka marrë besimin e sovranit. Një nga angazhimet kryesore të Programit tonë “Shtet për të gjithë” ishte amendamentimi i Ligjit për shtetësinë për të mundësuar njohjen me automatizëm e së drejtës për shtetësi për qytetarët që kanë lindur në Maqedoninë e Veriut, që kanë jetuar së paku 5 vjet në mënyrë të ligjshme aty ose që janë martuar me shtetas të këtij shteti, në pajtim me të drejtën evropiane. Dje, përmes refuzimit të çfarëdo kompromisi apo të harmonizimit të dy projektligjeve në procedure parlamentare, SDSM ka treguar se në fakt ajo është përgjegjësja kryesore për bllokimin e Kuvendit.

Dhe e dyta, na vjen mirë që deputeti qenka i brengosur për paratë e tatimpaguesit. Nëse ai këtë brengë e ka të sinqertë, i bëjmë thirrje që në vend të rrogave të deputetëve, të angazhohet për kthimin në arkën e shtetit të milionave të uzurpuara e të vjedhura nga politikanët e subjektit të tij, bashkë me partnerët e koalicionit, duke përfshirë milionat e aferës Magyar Telekom, milionat e reketuara nga ish shokët e tyre brenda dhe përreth PSP-së, milionat e M-NAV të rastit Leonardo dhe shumë e shumë abuzime tjera me paranë publike gjatë qeverisjes katër vjeçare të këtij koalicioni që ka thyer të gjitha rekordet në rankimet botërore të korrupsionit.

Në fund, i kujtojmë deputetit se nuk është ai që vlerëson punën e kolegëve të tij por sovrani i cili tanimë pa rezervë është duke përkrahur Koalicionin Aleanca për Shqiptarët-Alternativa sepse përpjekja jonë është e drejtë dhe universale. E ftojmë deputetin të bëjë punën e tij duke propozuar zgjidhje për të çbllokuar Kuvendin, e cila nuk do vijë duke drejtuar gishtin kah opozita. Në demokraci, barra e gjetjes së zgjidhjeve në interes të qytetarëve i takon para së gjithash pushtetit. Urdhëroni, po dëgjojmë propozimet tuaja.

Related Articles

Back to top button
Close
Close