BotaLajme

Kryeprokurori kërcënon me veprime ligjore ato gra që nuk ndjekin ligjin e Iranit për shaminë e kokës

Kryeprokurori i Iranit, Muhammed Jafar Montazeri, paralajmëroi gratë që refuzojnë veshjen e hixhabit ndërsa marrin pjesë në protestat anti-qeveritare, që t’i përmbahen mbulesës së detyrueshme të kokës për “sigurinë dhe shëndetin e tyre”.

Ai tha se Ligji i Sheriatit dhe Ligji i Republikës Islamike të Iranit e obligojnë mbajtjen e detyrueshme të shamisë për gratë dhe tha se “nuk mund të thuhet se hixhabi është çështje personale”.

Më 25 dhjetor, Montazeri pretendoi se propaganda e “shteteve armike” është arsyeja pse gratë shkojnë në protesta pa hixhab, duke kryer kështu një “vepër penale të dukshme”.

Hixhabi u bë i detyrueshëm për gratë iraniane mbi moshën nëntë vjeçare pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Shumë gra iraniane e kanë kundërshtuar këtë rregull përgjatë viteve.

Gatishmëria në rritje e grave në qytetet kryesore të Iranit për të shmangur veshjen e hixhabit reflektohet në rezultatet e një sondazhi të publikuar më 13 dhjetor në persisht nga ekipi Iran Open Data, i grupit jo-fitimprurës Small Media me bazë në Londër.

Nga data 17 deri më 21 nëntor, grupi tha se anketoi 5.582 përdorues të internetit në të gjitha 31 provincat e Iranit dhe se tetë nga dhjetë gratë që u përgjigjën thanë se kishin dalë në publik pa hixhab në dy muajt e fundit.

Protestat e furishme kanë nisur pas vdekjes tragjike të 22-vjeçares Mahsa Amini në mes të shtatorit.

Amini është arrestuar në Teheran nga policia famëkeqe e moralit, për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit, dhe ka vdekur dy ditë më vonë në paraburgim, me shenja të mavijosjes në fytyrë dhe trup.

Autoritetet gjyqësore nuk kanë publikuar ende të dhëna për numrin e të plagosurve dhe të vrarëve në këto trazira, por mijëra njerëz, duke përfshirë gazetarë, avokatë, aktivistë, mbrojtës të të drejtave njeriut dhe të tjerë që kundërshtonin qeverinë, u arrestuan.

Ligjvënësit iranianë shkuan edhe më tej, duke kërkuar dënime të ashpra, përfshirë dënimin me vdekje, për protestuesit.

Sipas autoriteteve iraniane, ka pasur dy ekzekutime publike deri tani, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se edhe shumë të tjerë janë dënuar me vdekje. /rel/

Related Articles

Back to top button
Close
Close