
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian, mblidhen sot në Tivat të Malit të Zi, ku do të mbahet Samiti BE–Ballkani Perëndimor. Nga Maqedonia e Veriut merr pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Zhurnal.
Fokusi kryesor i samitit do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian.
Në Samitin, i cili mbahet nën moton “Prosperitet dhe stabilitet i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”, përveç liderëve të gjashtë vendeve të rajonit, do të marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, si dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Samiti do të kryesohet nga António Costa, i cili gjatë ditëve të fundit vizitoi disa vende të rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Para samitit, Gjermania dhe Franca përgatitën një “non-paper” me titull “Një moment i ri për zgjerimin”, i cili paraqet një elaborim të letrës që kancelari gjerman Friedrich Merz ua dërgoi së fundmi drejtuesve të institucioneve të BE-së. Megjithatë, ndërsa dy të tretat e letrës së Merzit i kushtoheshin Ukrainës, non-paper-i i ri i dedikohet tërësisht vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë.



