
“I pëlqen apo jo dikujt, ne do të sjellim vendim për këtë lëndë”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në konferencën e sotme për media. Ai shtoi se gjatë kësaj periudhe të gjatë kemi qenë dëshmitarë të një dhune politike të pashembullt, ndikim, presione në një farë mënyre dhe shantazh të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është rezultat i mungesës së theksuar të kulturës elementare politike, për të mos përmendur kulturën kushtetuese, tha Konstadinovski.
“E kam thënë disa herë që nuk do të lejoj që Gjykata Kushtetuese të shantazhohet nga askush dhe nuk do të lejoj që ajo të jetë nën presion dhe kërcënime nga askush. Kushdo që mendon se shteti i së drejtës, shteti ligjor do të pengohet nga ndikimet dhe manipulimet politike, të mos provojë fare. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Gjykata Kushtetuese ka kompetenca të qarta, të dala nga Kushtetuta. Gjykata Kushtetuese është gardiane e Kushtetutës dhe e mban atë në atë formë siç është”, theksoi Kostadinovski.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shtoi se nuk dëshiron të komunikojë dhe debatojë me politikanët, por thekson se ata janë të detyruar t’u drejtohen në një farë mënyre qytetarëve dhe t’u sigurojnë atyre pavarësi dhe paanshmëri.
Ai theksoi se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese nuk do që askush ta perceptojë si dobësi apo nënshtrim ndaj ndonjë presioni.
“Po vazhdojmë me punën në atë lëndë (Ligji për përdorimin e gjuhëve). Është çështja më e vjetër në këtë gjykatë, më shumë se pesë vjet, dhe vendimi ynë i sotëm duhet të interpretohet si akti përfundimtar i qasjes së përgjegjshme dhe respekti dhe detyra më e lartë ndaj qytetarëve, për të mos lejuar që ata të manipulohen dhe gënjehen nga politikanët”, tha Kostadinovski.



