
Në cikël dështimesh që nga 15 prilli është futur Kuvendi i Kosovës. Deputetët e zgjedhur nuk po arrijnë të konstituojnë legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot ishte përpjekja e shtatë për dalje nga bllokada. Seanca nisi në orën 10:00 dhe VV nuk mori votat e mjaftueshme
Do të duhet edhe përpjekja e tetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi edhe në votimin e pestë, Albulena Haxhiu e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e mjaftueshme as të dielën. 57 deputetë votuan pro kandidaturës së saj. 41 ishin kundër e 3 abstenuan. Kuvendi do të mblidhet sërish të martën me fillim prej orës 10:00.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se bllokada e krijuar për konstituimin e Kuvendit, po bëhet më shumë për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, sesa për të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila nuk po i merr votat për kryekuvendare. Pas dështimit të seancës të së dielës, Krasniqi para mediave ka thënë se kështu po bllokohet edhe shteti dhe është lënë vendi pa institucione legjitime. “Kjo është mungesë totale e përgjegjësisë, qytetarët kanë votuar për të ardhur e të diskutuar për tema që iu interesojnë atyre. Unë do të doja që sa më shpejt të kalonim në hapat e zgjedhjes së qeverisë. Qeveria nuk ka legjitimitet. Bllokada këtu më shumë se për Albulena Haxhiun është për Albin Kurtin, sepse Albin Kurti nuk po mund të bëhet kryeministër. Duke mos dashur të bllokohet te emri i tij, e sakrifikon Albulena Haxhiun. Por, kështu po e bllokon edhe shtetin e qytetarët duke na lënë pa institucione legjitime. Nuk ka nevojë për takime në këtë fazë, vetëm duhet ta ndryshojnë kandidatin. Nuk mbahet shteti peng për një njeri, cilido qoftë ai apo ajo”, ka thënë ai. Krasniqi ka shtuar se nëse vazhdon kjo bllokadë, është shumë më mirë të shkohet në zgjedhje.
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, se qëllimisht po e bllokon situatën në Kuvend. Të dielën u votua për herë të pestë për propozimin e VV-së që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Deri tash non-stop ajo ka marrë vetëm 57 vota pro. Sipas Kadrijajt, përsëritja e rezultateve tregon se VV-ja “nuk ka qëllim të zhbllokojë Kuvendin”. “Po të kishte lëvizje apo mund, ndoshta do të mund të siguronte të paktën një votë, por po shihet se rezultati po përsëritet dhe po mendoj se qëllimshëm po e bën. Duke e pa se Haxhiu s’i ka votat, po e përsërisin, edhe pse partitë kanë thënë se po të ketë propozime të tjera mund të votohen”, ka thënë ajo pas dështimit të së dielës.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se “është parë mjaftueshëm” ngërçi në Kuvend dhe se tash pret reflektim që të krijohet një shumicë në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë. “Deri sot ka pas afat me u thirre seanca. Sot po shohim njëfarë konfuzioni. Kuvendi ka pasur obligim brenda muajit të thirret. Duhet të krijohet shumica parlamentare që zgjedhë edhe Kuvendin edhe Qeverinë. Shpresoj që mjaftueshëm është parë dhe shtresuar dhe po shpresoj se do të reflektohet e do të ketë kapacitete për të ndërtuar një shumicë qeverisëse që reflektohet edhe në Parlament edhe në Qeveri”, ka thënë ai. Të dielën dështoi për herë të pestë votimi i Albulena Haxhiut të VV-së për kryeparlamentare. Nisma që është përmendur si partnere potenciale për VV-në, me tre deputetë, ka abstenuar në këtë votim.
Ka folur edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, sipas të cilit, çdo ditë e humbur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është “humbje kohe për Kosovën”. Pas dështimit të votimit, Peci ka thënë se pret që të ketë reflektim qëndrimesh. “Ajo që pritet është procesi i vazhdimit. Shpresoj që të bëhet konstituimi sa më shpejt. Çdo ditë e humbur në drejtim të konstituimit të Kuvendit, është humbje për Kosovën. Në funksion të kësaj mendoj se duhet të reflektohet. Ka diskutime të vazhdueshme, të shohim rezultatin. Votimi në Kuvend të martën do të tregojë nëse ka apo jo”, ka thënë ai.
KRASNIQI: NUK JEMI TË INTERESUAR PËR KOALICION KU ËSHTË LISTA SERBE
Deputeti nga radhët e komuniteteve Elbert Krasniqi ka thënë se grupi multietnik në Kuvend nuk dëshiron të jetë pjesë e një koalicioni qeveritar në të cilin do të ishte pjesë edhe Lista Serbe. Në hyrje të Kuvendit, për seancën e shtatë në përpjekje për konstituim të Kuvendit, Krasniqi që ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverisjen e fundit, ka komentuar mesazhet që kanë qarkulluar se “deputetë të Listës Serbe mund të votojnë për Kurtin”. “Qëllimi ka qenë dhe mund të jetë që ata dëshirojnë të jenë pjesë me votën e tyre në mënyrë që të krijohet përshtypja se ka koalicion. Është e qartë se as VV-ja e as ne si grup multietnik s’jemi të interesuar të jemi në ndonjë koalicion ku është Lista Serbe, sepse është lista të cilës i prin Radoiçiqi, këtu, atëherë, tash dhe nesër”, ka thënë ai.



