
Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kursejnë energjinë elektrike, për shkak se pritet që nga 21 qershori të ketë mungesë të theksuar të prodhimit vendor. Kjo është një situatë e paprecedentë, në 25 vitet e Kosovës së pasluftës.
Nga nesër, 21 qershor, e në ditët në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.
“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, është thënë në njoftimin e KESCO-së.
Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, që funksionojnë me qymyr. Përmes dy termocentraleve, Kosova ka kapacitet prodhimi prej rreth 800 megavat rrymë në orë, ndërkaq pjesa tjerë importohet. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.
Por, sa kushton rryma në bursat ndërkombëtare?
Për fat të mirë, çmimi i rrymës është në trend të rënies në bursat ndërkombëtare, tash e tri ditë. Në bursën hungareze HUPX, ku blen Kosova, çmimi mesatar për një megavat-orë të energjisë elektrike gjatë ditës së sotme është 88 euro e 28 centë, teksa gjatë orëve të pikut, ku konsumi është në nivelin më të lartë, çmimi është 48 euro e 44 centë.
Dje, çmimi ka qenë 90 euro e 2 centë, përkatësisht 60 euro e 61 centë. Të mërkurën çmimi për një megavat në orë të energjisë ka qenë 95 euro e 15 centë, teksa në orët e pikut 64 euro e 11 centë. Nesër çmimi për një megavat në orë parashihet të bie në 73 euro e 85 centë, teksa për orët e pikut në 27 euro e 51 centë./ Monitor



