
Strehë e emigrantëve të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëhet Kosova. Përmes një vendimi të marrë në mbledhje elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që të pranojë 50 emigrantë të tillë, siç ka thënë, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre në vendlindje. Por, një ekspert i çështjeve të Ballkanit ngre shqetësimin për qëndrimin e presidentit Donald Trump.
Kosova do të pranojë 50 emigrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimi është miratuar të mërkurën nga Qeveria në detyrë në një mbledhje elektronike pasi, siç është thënë, ka qenë kërkesë e vetë SHBA-së.
Pas miratimit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre do të bëhet brenda një periudhë njëvjeçare “me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes”.
“Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, ka vlerësuar Kurti.
Kurti më tej e ka vlerësuar SHBA-në si aleat të palëkundur e partner të besueshëm të Kosovës.
Por, eksperti i çështjeve që lidhen me Ballkanin, Daniel Serwer, konsideron se në raport me presidentin Donald Trump duhet pasur kujdes.
“Besoj se Kosova mund të pranojë disa emigrantë nga SHBA-ja për ta zbutur Trumpin. Por, nëse e bën këtë, është më mirë që të marrë diçka në këmbim paraprakisht me shkrim. Ai nuk i shlyen borxhet”, ka theksuar Serwer.
Ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
Sipas një raportimi të “Bloombergut”, bëhet fjalë për emigrantët kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.
Kosova ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e diskutimeve të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Tiranës, presidentja Vjosa Osmani ka lënë të hapur mundësinë e diskutimit për realizimin e planit të Mbretërisë së Bashkuar për ngritjen e qendrave në vende të treta për imigrantët e paligjshëm.



