
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, që është njëherazi edhe deputet, si dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Francës, Bertrand Bouyx, me të cilin diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës.
Konjufca ka falënderuar Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.
Sipas komunikatës nga zyra e kryetarit tw Kuvendit, Konjufca dhe Bouyx u pajtuan se është e rëndësishme që të vijojë puna dhe angazhimi deri në përfundim të plotë të këtij procesi, së bashku me shtetet mike, pas të cilit Republikës së Kosovës i hapet rruga për arritje edhe më të mëdha në drejtim të ruajtjes, mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.



