
Sindikatat gjermane paralajmërojnë nga kolapsi në shërbimin publik për shkak të mungesës së mësuesve, edukatorëve e policëve. 360.000 vende në administratën e shërbimit publik janë të pazëna. Disa sindikata të administratës së shërbimit publik në Gjermani kanë ngritur alarmin.
“Nëse politika nuk vepron, kërcënon një kolaps i personelit”, ka thënë Daniel Merbitz, anëtar i kryesisë së Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, GEW pët grupin mediatik Funke. Kurse zëvendëskryetari i Sindikatës së Policisë, GdP, Michael Mertens paralajmëron se “në të gjithë sektorët e policisë mungojnë policët”.
“Nga kjo problematikë vuajnë të gjitha landet, edhe Policia Federale dhe Zyra Federale e Kriminalistikës”.
360.000 vende të pazëna në shërbimin publik shtetëror
Kreu i Shoqatës së Nëpunësve, dbb Ulrich Silberbach po ashtu vëren, se nëse “nuk ecim përpara në digjitalizim dhe reduktimin e burokracisë, mungesa e personelit do të çojë në zgjatje të afateve të trajtimit të dokumenteve, do të përkeqësojë kujdestarinë në kopshte dhe në përgjithësi do të dobësohet ndjeshëm aftësia vepruese e shtetit.”
Sipas të dhënave të shoqatës dbb, ka rreth 360.000 vende pune të pazëna në sektorin e shërbimit publik shtetëror. Deri në vitin 2030 dalin në pension rreth 1,3 milionë të punësuar të shërbimit publik. Anëtari i kryesisë së Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës, Merbitz është shprehur se prej vitesh sistemi arsimor nuk është financuar sa duhet, “me pasoja dramatike”. Në të gjithë sektorët e arsimit, si në shkolla dhe kopshte ka një mungesë të ndjeshme të fuqisë së kualifikuar punëtore.
“Kjo çon shpesh në një rreth vicioz të mbingarkesës së personelit nga mungesa e fuqisë punëtore dhe mungesë fuqie punëtore nga mbingarkesa,”- thotë Merbitz, sepse shumë të punësuar në këtë sektor dalin me orar të shkurtuar për të shmangur stresin personal.
Edhe mungesa e policëve ndjehet sidomos në sektorin e kontrollit të trafikut, thotë Mertens.
“Pasoja është një rrezik më i vogël i kapjes së rasteve të shkeljes së rregullave që reflektohet negativisht në statistikën e aksidenteve.”/DW



