“Apeli i Shtipit dha mendim – as Gjykata e Koçanit, as Gjykata e Shtipit dhe as Gjykata e Strumicës nuk i plotësojnë kushtet për të vlerësuar akuzën për zjarrin në klubin e natës “Pulse”. Pra, për shkak të kësaj, tani Supremja do të duhet të vendosë se cila gjykatë do të jetë kompetente për të kryer një gjykim për zjarrin e tmerrshëm”, raporton gazetari i Alsat, Mihaillo Donev.
Apeli në Shtip së pari shqyrtoi, me kërkesë të gjykatës së Koçanit, kompetencën e kësaj gjykate për të vlerësuar aktakuzën për zjarrin në Koçan, në të cilën u përfshinë 34 persona fizikë dhe tre juridikë. Kryetari i Apelit të Shtipit, Toni Delev, tha për Alsat se gjykata në Koçan me pesë gjyqtarë nuk ka kapacitete për këtë rast. Pastaj, siç thotë Delev, Apeli duke analizuar situatën gjithashtu vendosi që për arsye të ngjashme gjykimi nuk mund të zhvillohet as në gjykatat përreth në Shtip dhe Strumicë.
Për shkak të kësaj, tani i mbetet gjykatës më të lartë në vend, e cila nga ana tjetër nuk ka afat të përcaktuar ligjërisht brenda të cilit të vendosë, të thotë se cila gjykatë ka kapacitet dhe kushte për të vlerësuar aktakuzën, dhe për të kryer gjykimin për një nga tragjeditë më të tmerrshme në historinë e vendit.
Të gjithë të pandehurit në këtë rast akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, ndërsa një person do të gjykohet për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Hetimi i prokurorisë përfundoi më 13 qershor, kur kryeprokurori Lupço Koçevski informoi opinionin se të pandehurit e parë në këtë rast ishin pronari dhe menaxhmenti i klubit të natës “Puls”.
Ish-ministrat e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraçini, ish-sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë Razmena Çekiq Duroviq, pesë punonjës të Ministrisë, tre ish-kryetarë të Koçanit dhe katër ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim u akuzuan gjithashtu për tragjedinë në të cilën humbën jetën 62 persona dhe u plagosën rreth 200 të tjerë. Hetimi përfshin gjithashtu inspektorë ndërtimi nga Koçani, si dhe drejtorin e agjencisë që siguroi objektin dhe katër punonjës.
Ndërkohë, hetimi u ndërpre për 13 persona, një person ndërroi jetë, ndërsa anëtari i grupit muzikor DNK, Vlladimir Bllazhevski, është nën trajtim mjekësor dhe për 11 personat e tjerë organet hetimore thanë se nuk kishte prova të mjaftueshme./ Alsat.mk



