
Gradualisht dhe në disa etapa do të rinovohen klinikat, ndërsa pacientët do të ridrejtohen në klinikën Shën Naum i Ohrit me çka nuk do të lejohet të krijohet rrëmujë. Këtë e theksoi ministri shëndetësisë Arben Taravari pasi në publik dolën informacione se do të rinovohet KARIL, sallat kirurgjike dhe spitali 8 Shtatori.
“Fillojmë me KARIL, rikonstruktimi i kësaj klinike duhet të zgjasë 6 muaj, pastaj vazhdojmë me sallat kirurgjike të Qendrës klinike më 1 prill dhe deri në mes të qershorit duhet të mbarojë. Atëherë me shumë gjasa do të fillojë rikonstruktimi i spitalit 8 Shtatori që po ashtu duhet të mbarojë brenda 3-4 muajve”, tha Arben Taravari..
Sipas drejtorit të klinikës Shën Naum i Ohrit, Nebojsha Nastov, ka kapacitet të mjaftueshëm me shtretër dhe mjekë.
“Është e rëndësishme të dihet se komunikimi bëhet me qëllim që të sigurohet numri i njëjtë i shtretërve sa ishin para fillimit të rinovimit, vetëm rishpërndarja e krevateve dhe kapaciteteve do të jetë e ndryshme”, deklaroi Nebojsha Nastov.
Në lidhje me 1800 punësimet e paralajmëruara, ministri Taravari thotë se ato duhet të realizohen deri në fund të këtij viti. Ai është në të njëjtin qëndrim me Mickoskin se nuk duhet të shihet përkatësia etnike por profesionalizmi i të punësuarve.
“A do të ketë punësime, gjithsesi se do të ketë, siç ka pasur në të kaluarën, do të ketë edhe tani. Sa do të jenë maqedonas, shqiptarë, turq, kjo nuk është e rëndësishme më besoni. Kemi kuadro të mira që meritojnë të punësohen në institucionet dhe unë shpresoj se do të ketë edhe përfaqësim të drejtë të të gjitha etnikumeve që jetojnë në Maqedoni, megjithatë para se gjithash është e rëndësishme ata të jenë kompetentë”, theksoi Taravari
Paraprakisht edhe zv/kryeministri parë Izet Mexhiti paralajmëroi punësime të shqiptarëve pas çka kryeministri Hristijan Mickoski dje tha se punësime do të ketë por se kjo nuk do të bëhet në bazë të përkatësisë etnike ose partiake.



