BotaLajmeTopLajm

Këshilli i Evropës ka shprehur shqetësim për përdorimin e forcës në protestat në Francë

Komisarja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, shprehu sot shqetësim për “përdorimin e tepruar të forcës” ndaj demonstrantëve në Francë që protestojnë kundër reformave të pensioneve dhe u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë të drejtën për të protestuar.

“Ndodhën incidente të dhunshme, disa prej të cilave u drejtuan ndaj anëtarëve të forcave të sigurisë”, thuhet në kumtesën e komisares.

Megjithatë, aktet sporadike të dhunës dhe kundërvajtjes të disa protestuesve gjatë protestave nuk mund të justifikojnë përdorimin e tepruar të forcës nga nëpunësit shtetërorë, shtohet në kumtesën e Këshillit të Evropës me qendër në Strasburg, ku gjithashtu u mbajtën protesta.

Komisarja shtoi se nuk mund të arsyetohet as heqja e të drejtës së njerëzve për lirinë e tubimit dhe shprehu shqetësimin për arrestimin dhe ndalimin e disa protestuesve dhe njerëzve në afërsi të protestave për akte që “nuk justifikojnë marrjen e masave aq të dëmshme në lidhje me të drejtën e lirisë dhe sigurisë”.

“Dhuna, ngado që të vjen, nuk mund të përdoret kurrë si mjet për zgjidhjen e një krize sociale apo politike,” tha ajo, duke shprehur keqardhje që njerëz u plagosën ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Sipas saj, dhuna duhet të ndalet sepse është kusht i domosdoshëm për ushtrimin efektiv të lirisë së shprehjes dhe tubimit, si dhe për besimin mes popullatës dhe policisë.

Ndryshe, në Francë dje gjatë protestave për reformën e pensioneve u lënduan 441 pjesëtarë të policisë dhe xhandarmërisë dhe u arrestuan 457 persona.

Related Articles

Back to top button
Close
Close