
Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar padinë e grupit politik të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj për mosregjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Berishës dhe Ilir Metës për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Në padinë e depozituar nga Partia Demokratike që drejtohet nga Alibeaj si kryetar i komanduar theksohej se Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë shkelur ligjin duke përdorur emrin dhe simbolin e PD-së.
Në këtë mënyrë, Alibeaj kërkonte ç’rregjistrimin e këtij koalicioni për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Por kjo padi është hedhur poshtë sot nga Kolegji Zgjedhor.
“Kolegji Zgjedhor Gjyqësor bazuar në nenin 158 të Kodit Zgjedhor vendosi; 1. Rrëzmin e padisë. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të palëve siç janë kryer. Ky vendim është i formës së prerë dhe ndaj tij nuk lejohet ankim. U shpall sot në Tiranë në 30. 03. 2023. Gjykimi mbyllet”, thuhet në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Me vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ndërkaq, pjesë e këtij koalicioni janë edhe PDNJ e Vangjel Dules dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.



