LajmeMaqedoniTopLajm

Kasami: Është për të ardhur keq se në çfarë gjendje e kanë lenë komunën e Tetovës udhëheqsia e kaluar

Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot pas tre javësh menaxhim të komunës flet para medias në lidhje me borxhin që trashëgoi nga udhëheqësia e kaluar, përkatësisht nga Teuta Arifi. 

Komuna u gjet me parregullsi të shumta dhe me borxhe me vlerë të lartë, por mbi të gjitha qytetarët meritojnë që ta dinë se ku shkojnë paratë e tyre dhe se çfarë ndodhë me komunën. Transaparenca dhe llogaridhënia janë prioritetet tona, theksoi Kasami.

“Dua t’i njoftoj qytetarët se borxhi i komunës së Tetovës kap vlerën totale prej 24 milionë euro. 17.3 milionë euro janë ndaj sektorit privat dhe 6.7 milionë euro ndaj sektorit publik, borxhi i komunës administrata e komunës është 14 milionë euro, borxhi i Ndërmarjes publike komunale (NPK) është 9.69 milionë euro, borxhi i ndërrmarrjes së parkingjeve është 187 mijë euro, borxhi i shkollave është 77 mijë euro,” – argumentoi para medias Kasami.

Në çfarë periudhe bëhet fjalë për borxhin e komunës, gjegjësisht në cilën periudhë është akumuluar borxhi i komunës?

Kasami: Për momentin ne dim vetëm si strukturë të borxhit, nuk kemi informata të detajuara të periudhave, sepse atë që e dimë ne si informatë publike që qeveria një pjesë të borxhit si gjithë komunat tjera edhe komunës së Tetovës ja ka shlyer dhe në ato momente borxhi i deklaruar nga komuna e Tetovës ka qenë 15 milionë euro nga të cilat gjysma ka qenë e paguar nga qeveria. I bie që vetëm në mandatin e dytë për katër vite Tetova ka krijuar borxh për administratat paraprake diku 14 milionë euro nëse e marrim këtë borxh total prej 24 milionë euro.

A do të ketë përgjegjësi penale ndaj ish-kryetares, Teuta Arifi për borxhin që ia ka lënë komunës?

Kasami: Nuk janë shlyer 200 kontrata, por pjesërisht ata të cilët sipas informatave se nuk kanë ardhur në punë, më konkretisht ata të cilët janë në pjesën e pastrimit dhe që janë një numër i konsiderueshëm ata do të vazhdojnë, nuk do t’iu ndërpritet kontrata, vetëm atyre të cilët ne kemi pasur informata se nuk vijnë në punë dhe kanë marrë kompenzim financiar nga ndërmarrja komunale, është dhënë urdhër të ndërpriten do ta konfirmjë edhe njëherë informatën nëse është ashtu si kam thënë unë, ndërmarrjes komunale. Sa i përket pjesës së parë veçmë është pjesë më e komplikuar e cila do të jetë vazhdimësi e punëve tona jashtë asaj që është punë e përditshme veçse kemi identifikuar një lëndë të dyshimtë e cila ka të bëjë me shtegun e biçikletave, ku realizimi i punëve është bërë gati një vit më herët dhe procedura e tenderimit është bërë dy-tre ditë para zgjedhjeve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Sipas informatave nga sektori juridik kemi dëshmi të mjaftueshme të nisim procedurën e padisë penale kundër atyre të cilët kanë qenë të involvuar. Kemi një situatë tjetër që gjithashtu jemi në procedurë të mundësisë për padi penale dhe në të njëjtë kohë të shohim mundësinë që ai borxh të shlyhet sepse është i padrejtë. Kur do t’i kemi informatat e detajuara do të informohet opinioni. Ne shkojmë në mënyrë të detajuar, të gjitha ato pjesë të borxhit të cilat janë krijuar, ku do të kemi informata të konfirmuara se janë bërë në forma jo ligjore, të gjitha ata do të procesohen para organeve të drejtësisë.

A ka komuna plan konkret sesi do të zgjidhet borxhi dhe a do të ndikojë ky borxh në funksionimin e komunës?

Kasami: Jemi në përpilim të atij plani. Unë jam në takim me të gjitha ndërmarrjet të sektorit privat, të cilëve iu kemi pjesën më të madhe të borxhit. Ka mirëkuptim nga ata dhe në momentin kur do të kem një marrëveshje me ata për riprogramim të borxhit, sepse për momentin komuna e Tetovës është e bllokuar. Ka mbi 430 vendime të përmbaruesve të cilët i kanë dorëzuar në trezor dhe për momentin ne nuk disponojmë me llogarinë e komunës. Të gjitha të hyrat të cilat vijnë në llogari të komunës së Tetovës, i marrin përmbaruesit dhe për momentin kemi mundësi të bëjmë pagesën e pagave të punëtorëve të rregullt, të cilët janë me vendim dhe të cilët kanë prioritet në realizim. Jemi në konsultim të vazhdueshëm, ka mirëkuptim paraprak nga operatorët privat, nga kompanitë private me të cilët ne do të bëjmë një riprogramim dhe do ta bllokojmë zhirollogarinë e komunës, me qëllim që nga janari të nisim planin e implementimit të gjithë atyre kërkesave ne i kemi premtuar, për të cilën ne qëndrojmë edhe përkundër gjendjes së rënduar së komunës.

Sa borxh i kanë të tjerët komunës së Tetovës?

Kasami: Edhe aty ka shumë. Fatkeqësisht edhe aty nuk është vepruar, sepse tash kur flasim për operatorët privat, ata kanë mbrojtur interesin e tyre. Dhe gjithmonë kur ka ardhur situata për ta procesuar para gjykatave dhe organeve të drejtësisë e kanë procesuar që të mbrojnë, mos të humbasin të drejtën e kërkimit të borxhit. Domethënë, kemi borxh me vite, ndoshta edhe 10 vite – operatorët privat që nuk e kanë realizuar, por e kanë ruajtur të drejtën, sepse e kanë përcjellur të gjitha procedurat ligjore para organeve të drejtësisë. Fatkeqësisht, menaxhmenti paraprak, pra edhe përkundër faktit që nuk ka realizuar të hyrat, ashtu siç obligohet me ligj, nuk ka respektuar edhe afatet ligjore, me qëllim që ato të hyra t’i realizojmë ne sot. Kemi shumë të hyra të tatimeve dhe të hyrave tjera të cilat i kanë kaluar afatet e vjetërsisë (5 vite) dhe ne sot nuk kemi mundësi juridike që ato t’i kërkojmë nga qytetarët.

A do të ketë punësime të reja në komunën e Tetovës?

Kasami: Sipas planit për punësim, për këtë vit ka hapësirë të cilat ne i shohim në aspektin administrativ a do të mund t’i realizojmë, sigurisht edhe për vitin e ardhshëm ka plan për punësime.

A është bërë “pishman” Bilall Kasami për përgjegjësinë që e ka marrë si kryetar komune, në momentin kur e ka konfirmuar borxhin e komunës së Tetovës?

Kasami: Jo! Aspak nuk jam bërë pishman. Të jem i sinqertë, nuk e kam pritur. Pritjet e mia kanë qenë se do të gjej afro 15 milionë euro borxh, por tash bindem edhe më shumë pse i duhej ndryshim Tetovës dhe se Tetova për katër vite do të jetë shumë më ndryshe se ashtu që e kam marrë unë. Nuk jam bërë pishman aspak.

Borxhi i komunës, një arsye më tepër që mos t’i përmbush Bilall Kasami të gjitha premtimet?

Kasami: Përkundrazi, kjo do të jetë një arsye që komuna e Tetovës për katër vite edhe ta zvogëlojë borxhin edhe të realizojë projekte shumë më shumë që janë realizuar në të kaluarën.

A ka komuna e Tetovës edhe një zhirollogari tjetër paralele, që është joligjore?

Kasami: Atë që unë e di është, se komuna ka disa llogari të cilat janë llogari të ndërmarrjeve, projekteve të ndryshme. Komuna ka disa llogari, një është ajo kryesorja, ku vijnë tatimet dhe të hyrat dhe prej ku bëhen pagesat dhe llogari tjera që të ndërlidhura me projekte të ndryshme, ku komuna është bashkëfinancues, si projekte ndërkombëtare, ndërqeveritare. Pra, janë disa llogari me të cilat menaxhon komuna e Tetovës. Nuk kam informata se ka llogari e cila është e kundërligjshme. Nga sot do të angazhoj revizorin e brendshëm që ta konfirmoj si informatë.

Si e komenton Kasami hyrjen e Alternativës në Qeveri?

Kasami: Mjaftueshëm e kam çështjen e borxhit. Nuk kam nevojë që ta plotësoj për momentin dhe të hapë çështje me opinionin.

Çka me funksionimin e transportit publik në Tetovë? Njëherë fillon dhe më pas ndërpritet dhe anasjelltas!

Unë kam dhënë urdhër që të shkakrohet drejtori. Do të caktohet drejtor tjetër si ushtrues detyredhe do të pres nga ai raport, se për çfarë bëhet fjalë. Informatat të cilat i kam, edhe kjo ndërmarrja ka funksionuar mos të them jashtë ligjit, por jo në përputhje me ligjin. Ndërmarrja ka funksionuar, ka gjeneruar të ardhura, por nuk ka pasur të punësuar. Një ndërmarrje private nuk mund të funksionojë pa pasur drejtor dhe pa të punësuar. Domethënë, kemi një ndërmarrje publike që funksionon pa i plotësuar kushtet elementare.

Përndryshe, Kasami njoftoi për opinionin se borxhi publik se këto ditë borxhi i komunës do të shfaqet edhe në billboarde të qytetit dhe poashtu do të ketë një monitor, ku qytetarët në detaje do të mund ta shohin borxhin e komunës. /Nistori/

Related Articles

Back to top button
Close
Close