
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mohuar sërish që të ketë ndihmuar një bankë të madhe të shmangë kthimin e miliona taksave, kur ai ishte kryebashkiak i Hamburgut.
“Unë nuk kam pasur asnjë ndikim në procedurat tatimore të Bankës Warburg. Nuk ekziston as treguesi më i vogël që të kem dhënë ndonjë garanci”, tha Scholz kur u mor në pyetje për herë të dytë nga një komision deputetësh të premten, shkruan DW.
Scholz ka qenë në krye të bashkisë së Hamburgut deri në vitin 2018 dhe ka nisur kontrolli i email-ve që nga 1 janari i 2015-s.
Gjithçka bëhet në kuadër të hetimeve mbi skandalin e njohur si “Cum-ex”, me prokurorët që po përpiqen të zbardhin se si ka ndikuar klasa e atëhershme politike, në nëntor të 2016-s, për të hequr dorë nga një kërkesë financiare tatimore me vlerë 47 milionë euro në dëm të bankës Warburg.
Në fokus të hetimit është edhe deputeti i SPD-së, Johannes Kahrs, por edhe politikanë të tjerë, të cilët dyshohen për favorizim të evazionit fiskal.



