LajmeMaqedoniTopLajm

Jurisprudenca “pak shqip, pak maqedonisht”, Sali shpalli zgjidhjen, Mickoski: Ende po punojmë

Pavarësisht përplasjeve të zëvendëskryeministrit të parë me ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov, i cili refuzon të lejojë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për Alsat, mbrëmë deklaroi se megjithatë Fillkov është duke punuar për të gjetur zgjidhje, meqë sipas ligjit aktual ai është kompetent për të rregulluar mënyrën e dhënies së provimit.

“Ligji aktual, kështu siç është nuk e rregullon provimin, por ia lë të drejtën ministrit të Drejtësisë që me akt tjetër juridik ta rregullojë mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës”, tha Mickoski.

Domethënë ministri Fillkov nuk dëshiron që provimi të jetë në shqip, jo se nuk ka bazë ligjore?

“Jo unë më shumë do të thosha që ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së nuk kanë dëshiruar. Ndërsa kjo Qeveri ka dëshirë dhe punon në atë që të gjejë mënyrë se si kjo lëndë apo problem të zgjidhet. Kështu që është e ndryshme. Ndërsa ministri Fillkov është pjesë e kësaj Qeverie që kërkon zgjidhje për dallim prej qeverive paraprake në të cilat ministrat shqiptarë të Drejtësisë nuk dëshiruan ta zgjidhin”, deklaroi Mickoski.

Kjo deklaratë përshkruan situatë krejt të kundërt me atë që përshkruante zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali para dy muajsh, se bisedimet zhvillohen vetëm mes tij dhe kryeministrit, pasi Fillkov nuk është nivel për të diskutuar. Polemika e Salit dhe Fillkov arriti deri në shkallën saqë Fillkov e quajti Salin stomatolog dhe fillestar për materien e integrimeve evropiane dhe reformave në drejtësi.

“Nuk është niveli që duhet ta diskutoj me ministrin e Drejtësisë për arsye se e pamë ku i kemi qëndrimet tona të prera, të definuara dhe mbas asaj çdo diskutim me të nuk është në nivelin e duhur, tani e kemi marrë për sipër udhë dhe kryeministri ta zgjidhim këtë çështje”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali më 8 prill në intervistën për Alsat.

Për “Eurekan” që e shpalli Sali për provimin e jurisprudencës, Mickoski mbrëmë tha se megjithatë asgjë s’ka përfunduar dhe se ende po punojnë. Modeli që promovoi Sali, sipas të cilit teoria e provimit të jepet në shqip e praktika në maqedonisht, apo siç e quan opinioni “pak shqip, pak maqedonisht”, do të diskutohet në debat publik.

“Se çfarë do të jetë zgjidhja shumë shpejtë do ta katalizojmë dhe do ta paraqesim në opinion”.
“Atë që ne e punojmë për momentin është në kuadër të Qeverisë, kuptohet se do të ketë debat publik, nuk do të… Ja edhe këto ditë kishte debat publik edhe për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë”, tha mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski.

Për jurisprudencën në shqip, paraprakisht Mickoski kishte deklaruar se me VLEN-in nuk e negocion çështjen, por vetëm e bisedon.

Related Articles

Back to top button
Close
Close