
Mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich do të mbetet në radhët e klubit më të suksesshëm gjerman pavarësisht indikacioneve të mëparshme se ai mund të largohet në fund të sezonit.
Më parë mediat gjermane shkruanin se negociatat për vazhdimin e kontratës së tij me klubin kishin ngecur dhe flitej për interesim edhe nga klube të tjera evropiane, si Paris Saint-Germain dhe Arsenal.
Konfirmimi zyrtar pritet në ditët në vijim dhe Kimmich është lojtari i dytë pas Alphonse Davies që zgjat besnikërinë e tij me Bavarezët.
Ndryshe, Kimmich mbërriti te Bayern Munich nga RB Leipzig në verën e vitit 2015 për rreth 7 milionë euro.
Para kësaj, rrugëtimi i tij futbollistik filloi në VfB Stuttgart, ku kaloi nëpër seleksionimet e të rinjve, por nuk pati një shans në ekipin e parë.
Stutgarti e shiti atë te RB Leipzig në vitin 2013, i cili atëherë luante në divizionin e tretë të Gjermanisë. Ai përparoi shpejt në Leipzig dhe u bë një lojtar kyç, gjë që tërhoqi vëmendjen e Bayernit.
Bayerni e solli atë me insistimin e Pep Guardiolës, i cili e njohu menjëherë talentin e tij dhe e shndërroi në një nga mesfushorët më të mirë në botë.



