BotaLajme

Java e Çmimit Nobel fillon me shpalljen e laureatëve të mjekësisë

Sezoni i Çmimit Nobel 2025 fillon të hënën (sot) me shpalljen e fituesve në kategorinë Fiziologji ose Mjekësi. Komiteti i Nobelit në Stokholm do të shpallë fituesit e çmimit prestigjioz sot paradite.  Çmimi Nobel në Fiziologji ose Mjekësi mund t’i jepet një shkencëtari të vetëm ose të ndahet midis dy ose tre shkencëtarëve që kanë punuar në të njëjtën fushë. Vitin e kaluar, çmimi u fitua nga shkencëtarët amerikanë Victor Ambrose dhe Gary Rufkin për zbulimin e tyre të mikroARN-së dhe rolit të saj në rregullimin e gjeneve. Çmimi në Mjekësi ose Fiziologji tradicionalisht hap javën vjetore të Çmimit Nobel. Fituesit në Fizikë, Kimi, Letërsi, Paqe dhe Ekonomi do të shpallen në ditët në vijim. Të martën, në orën 11:45, do të vijojë ai për Fizikën; të mërkurën është radha e Kimisë, po në orën 11:45. Pas çmimeve shkencore, të enjten do të jepet çmimi për Letërsinë në orën 13:00. Të premten në orën 11:00 do të shpallet fituesi i çmimit për Paqen. Java e çmimeve do të mbyllet me çmimin për Ekonominë, të hënën më 13 tetor, në orën 11:45.

Java e çmimeve Nobel, do të ketë një protagonist, i cili ndoshta nuk do të jetë një nga fituesit. Emri i presidentit amerikan Donald Trump do të jetë ndoshta një nga më të përmendurit.  Të enjten e kaluar, Hans Ellegren, sekretari i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave që ndan çmimet për Fizikën, Kiminë dhe Ekonominë, kritikoi politikën kërkimore të administratës Trump.

 “Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara zëvendësuan Gjermaninë si vendi lider në shkencë në botë. Sot, me uljen e fondeve për kërkimin shkencor, kjo pozitë është në rrezik”.

Çmimet Nobel do të ndahen zyrtarisht më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit (1833–1896), shpikësit të dinamitit dhe themeluesit të çmimeve. Këtë vit, secili çmim mbart një çmim në para prej 11 milionë kronash suedeze (950,000 euro).

Related Articles

Back to top button
Close
Close