LajmeMaqedoni

Izet Mexhiti: Ne nuk kemi hyrë në qeveri për ta lënë atë

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë, Izet Mexhiti hedh poshtë idenë e largimit nga Qeveria.
Ai në emisionin Trilling të TV24 theksoi se për çdo ditë po punohet me intensitet të lartë, ndërsa prioriteti kryesor i Qeverisë është integrimi evropian dhe se kjo është e vetmja rrugë për vendin.
Sipas Mexhitit Qeveria në periudhën e kaluar e ka realizuar prioritetin e VLEN-it për të luftuar me biznesin e kazinove ku ka rezultate të dukshme, por edhe se një nga shtyllat e bashkëpunimit është decentralizimi ku po ndodh një revolucion.

Izet Mexhiti: Nuk mund të flasim për Evropë derisa kemi probleme me ujin dhe kanalizimet

Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë Izet Mexhiti në emisionin Trilling të TV24 përkujtoi se një nga shtyllat e bashkëpunimit të Qeverisë së re të VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it është decentralizimi.
Ai përkujtoi se Qeveria aktualisht është duke e zbatuar projektin për ndarjen e 100 milionë eurove për komunat pa marrë parasysh përkatësinë politike dhe etnike të kryetarëve të komunave.
Sipas zv.kryeministrit, aktualisht në komuna po ndodh një revolucion dhe në muajt në vijim do të shihet kudo se si po zgjidhen problemet specifike me të cilat përballen qytetarët, në mënyrë që ata të kenë një jetë më cilësore.
Zëvendëskryeministri me këtë rast theksoi se “nuk mund të flasim gjatë gjithë kohës për frontin europian, për BE-në dhe standardet, ndërsa ti lejojmë qytetarët të merren me ujërat e zeza dhe me ujësjellësin”.

Izet Mexhiti: Në zgjedhje lokale do të garojmë së bashku si VLEN

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe lideri i Partisë Lëvizja Demokratike ka theksuar në intervistën e tij televizive Trilling të TV24 se VLEN kanë marrë pjesë së bashku në zgjedhjet parlamentare dhe si koalicion janë pjesë e Qeverisë dhe nuk ka dyshim se do të dalin bashkë edhe në zgjedhjet lokale.
Me këtë rast, kreu i Lëvizjes Demokratike ka theksuar se është e mundur zgjerimi i koalicionitVLEN, duke pasur parasysh se ndërkohë se shumë parti po e braktisin Frontin Evropian, dhe i njëjti po përçahet.
“VLEN nuk ka asnjë dilemë. Dilema është nëse deri atëherë (zgjedhjet lokale) VLEN do të shkrihet në një apo do të jetë vetëm një ombrellë prej katër deri në pesë subjekte. Me çdo kusht VLEN do të performojë së bashku në zgjedhjet e ardhshme lokale”- deklaroi Mexhiti

Mexhiti: Nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Në paraqitjen e tij televizive në TV24, zëvendëskryeministri dhe një nga drejtuesit e VLEN-it, Izet Mexhiti hodhi poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale.
“Mendoj se nuk ka nevojë. Kjo mazhorancë dhe Qeveria mbështetet nga 78 deputetë e më shumë”, tha Mexhiti.
Zëvendëskryeministri me këtë rast ka theksuar se VLEN nuk ka problem me ZNAM-in në Qeveri, ndërsa ZNAM duhet të deklarohen nëse duan partner tjetër.
“Ka një kapacitet demokratik në Qeveri dhe vazhdimisht bisedohet për gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve”, shtoi Mexhiti.

Mexhiti: Flamuri shqiptar nuk është vetëm i Shqipërisë po i gjithë shqiptarëve

I pyetur për foton me flamurin shqiptar gjatë vizitës në Kombet e Bashkuara, zëvendëskryeministri i vendit në emisionin Trilling të TV24 theksoi se në mesin e flamujve të shumtë ishte edhe flamuri shqiptar, por edhe flamuri kombëtar i Maqedonisë së Veriut, të cilët edhe u publikuan.
“Unë jam përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe jam fotografuar para flamurit kombëtar, por jam edhe shqiptar dhe këtë nuk e fsheh. Në Kushtetutën tonë të Republikës së Maqedonisë së Veriut thuhet se ne jemi pjesë e popullit shqiptar”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.
Sipas Mexhitit, njëri flamur është kombëtar (maqedonas), dhe flamuri tjetër është i të gjithë shqiptarëve në mbarë botën, jo vetëm i shtetit të Shqipërisë.
Ai ka theksuar se Kosova është një shtet i ri me flamurin e vet shtetëror, por në raste të ndryshme të gjithë identifikojnë dhe përdorin flamurin shqiptar, i cili ka një histori që nga koha e Skënderbeut.
Sipas Izet Mexhitit nuk ka rëndësi nëse një shqiptar është në Nju Jork, Istanbul, Maqedoni të Veriut apo Greqi: “të gjithë kanë flamuj kombëtarë që i respektojnë, por si shqiptarë identifikohen me atë flamur, që nga koha e Skënderbeut”, përfundoi Mexhiti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close