
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti përmes një postimi në profiline tij ka ndarë një moment të veçant të ditëve të librit në Çair duke veçuar momentet e përkujtimit të dy vjetorit të ndarjes nga jeta të studiuses dhe poetes Lindita Ahmeti, shkruan Top24
Sa i pasur me ngjarje, promovime dhe momente të veçanta ishte Panairi i Librit Shqip në Shkup!
Një nga momentet më të veçanta ishte ora përkujtimore kushtuar poetes dhe studiueses së shquar Lindita Ahmeti, në dyvjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Përmes leximit dhe diskutimit të poezive të saj, u rikthye në vëmendje vepra dhe trashëgimia e një krijueseje që la gjurmë të thella në kulturën shqiptare.
Panairi solli gjithashtu promovimin e dy veprave të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe: “Në mëni të njeni-tjetrit” nga Besnik Mustafaj dhe “Net dhe mjaltë” nga Liridon Mulaj, duke pasuruar programin me diskutime, ide dhe perspektiva të reja letrare.
Me kujtimin e figurave që kanë lënë gjurmë në kulturën tonë dhe me mbështetjen e autorëve të sotëm, Panairi i Librit Shqip në Shkup vazhdon të jetë një hapësirë e rëndësishme për promovimin e librit, dijes dhe identitetit tonë kulturor.



