
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Parlamenti i dha autorizim SPAK për arrestimin e deputetit Sali Berisha.
“Deputetët e PD mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standart i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj.
Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha.
Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejne një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen ti fshihen drejtësisë.
PD është e vendosur në mbeshtetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjjthë ata qeveritarë apo ish qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre.
Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për ti bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD dhe misionin e saj për ti dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”- thuhet në deklaratë.



