
Interi ka pësuar një tjetër goditje në kërkim të një mbrojtësi të djathtë, pasi edhe transferimi i Anan Khalailit ka dështuar për shkak të problemeve me testet e fitnesit.
Klubi zikaltër kishte arritur një marrëveshje prej rreth 25 milionë eurosh me Union Saint-Gilloise për anësorin izraelit, por lojtari nuk ka kaluar kontrollet mjekësore dhe marrëveshja është pezulluar.
Lajmin e konfirmoi administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta, gjatë konferencës së parë për shtyp të sezonit.
“Siç e dini, kishim negociuar marrëveshjen me Union Saint-Gilloise për Khalilin, i cili nuk e kaloi testin e fitnesit. U informuam për këtë vetëm pak minuta më parë. Në Itali ekziston një ligj shumë i rreptë për mbrojtjen e shëndetit, i zbatuar nga një palë e tretë dhe jo nga stafi mjekësor i klubit. Duhet t’i përmbahemi këtij vendimi. E njoftojmë me keqardhje të madhe, sepse është një lajm që nuk na pëlqen. Tani po mendojmë për alternativa”, deklaroi Marotta.
Khalili, i lindur në vitin 2004, kishte mbërritur në Milano të premten për kontrollet rutinë mjekësore. Pas rezultateve të para, u kërkuan ekzaminime të mëtejshme nga strukturat përkatëse të CONI-t për të përcaktuar nëse lojtari mund të merrte lejen për të luajtur.
Problemet në krahun e djathtë të mbrojtjes kanë vijuar për Interin, pasi më herët klubi humbi edhe mundësinë për të firmosur me Palestrën, i cili zgjodhi transferimin te Chelsea. Ndërkohë, largimi i Denzel Dumfries drejt Real Madridit ka detyruar drejtuesit zikaltër të rikthehen në tregun e transferimeve.
Pas dështimit me Khalailin, emri kryesor në listën e Interit është ai i Guela Doué. Mbrojtësi 23-vjeçar i Strasbourgut, i cili ishte pjesë e Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës, konsiderohet një nga alternativat më të forta.
Doué, vëllai i yllit të PSG-së dhe Francës, Désiré Doué, vlerësohet shumë nga klubi francez dhe çmimi i tij raportohet të jetë rreth 40 milionë euro.
Ai konsiderohet një profil më mbrojtës se Khalaili dhe mund të luajë si mbrojtës i krahut në një skemë me katër mbrojtës.



