LajmeMaqedoni

Integrimi në rrugë qorre, Qeveria ia bën qejfin vetes

Përderisa Qeveria e Shkupit insiston që ndryshimet kushtetuese të bëhen me modelin e afatit të prolonguar, apo që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pasi vendi të integrohet në Bashkimin Europian, Bullgaria e përsërit kërkesën – të respektohet propozimi francez, i cili si kusht për nisjen e bisedimeve të Maqedoni-BE, e ka futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Integrimi i vendit vazhdon të mbetet në një rrugë qorre. Të paktën ende ka dallime mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Bullgarisë për sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Përderisa Qeveria në Shkup insiston që ndryshimet kushtetuese të bëhen me modelin e afatit të prolonguar, apo ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pasi vendi të integrohet në Bashkimin Europian, Bullgaria nuk zmbrapset nga qëndrimi i saj – të respektohet propozimi francez, i cili si kusht për nisjen e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në e ka futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Pala bullgare strikte në pozicionet e veta. Kryeministri teknik bullgar, Dimitar Gllavçev, për mediat bullgare edhe një herë e ka bërë të qartë qëndrimin e palës bullgare se, propozimi i ri i Qeverisë së Maqedonisë së Veiut për ndryshime kushtetuese me afat të prolonguar është i papranueshëm.

“Nuk kam si t’u përgjigjem autoriteteve në Maqedoni, sepse Bullgaria është zgjidhur. Ka korniza në të cilat duhet të lëvizin të gjitha vendet anëtare të BE-së, përfshirë ato nga Ballkani Perëndimor, kështu që nuk ka temë për diskutim, mendoj se Bullgaria ka kompromentuar mjaftueshëm me ndjenjën dhe dinjitetin e saj kombëtar për të bërë shumë më tepër”, tha Gllavçev.

Nga ana tjetër, duke ia bërë qejfin vetes, elita politike e Maqedonisë së Veriut e bindur se vendi po merr mbështetje nga faktori ndërkombëtar për sa i përklet propozimit për ndryshime kushtetuese me afat të prolonguar. Këtë së fundmi e ka shprehur presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova në një brifing me gazetarët, ku theksoi se Maqedonia e Veriut po merr përkrahje të fuqishme ndërkombëtare në pozitën e saj me kontestin me Bullgarinë dhe se shteti në mënyrë të qartë i ka prezantuar argumentet e tij në takimet bilaterale dhe multiratelare, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Europian. Një qëndrim të tillë e kanë thënë në disa raste edhe nga ekzekutivi, por asnjëherë nuk është potencuar se cilët janë ata zyrtarë evropian që kanë pajtueshmëri për një propozim të tillë.

Një shpresë e fundit e politikanëve në Maqedoni të Veriut është formimi i Qeverisë së re në Bullgari, por edhe ky proces duket mjaft i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kryeministri Hristijan Mickoski në disa raste ka deklaruar se shpreson se në shtetin fqinj do të formohet një qeveri stabile, me të cilën do të mund të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për të zhbllokuar rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Megjithatë, pothuajse një muaj pas zgjedhjeve në Bullgari, negociatat për formimin e Qeverisë bullgare janë ende në vazhdim. Nëse nuk arrihet sërish një marrëveshje për koalicion, Bullgaria do të shkojë në zgjedhje të reja për të tetën herë në katër vitet e fundit.

Ndërkohë, asnjë parti politike në Bullgari nuk ka një qëndrim më të butë për sa i përket kontestit të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese kanë reaguar së fundmi edhe shoqatat bullgare nga Kavadari, Struga, Prilepi, Manastiri, Ohri dhe Shkupi, të cilët përmes një deklarate të dërguar në Komisionin Europian, theksojnë se të drejtat e njeriut të bullgarëve në Maqedoni nuk duhet të bëhen “peng të proceseve politike apo administrative”.

“Nuk mund të pranojmë që përfshirja jonë në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut të përkufizohet si ‘shantazh’, ‘diktim’ apo ‘pengesë’ për të ardhmen evropiane të vendit. As nuk mund të pajtohemi me idenë se të drejtat tona, së bashku me të drejtat e pjesëve të tjera të popujve të përfshirë në kushtetutë, duhet t’i nënshtrohen “veprimeve të vonuara”. Kemi përjetuar mjaft vonesa në luftën tonë për barazi”, thuhet në Deklaratën drejtuar presidentes së RMV-së, kryetarit të parlamentit dhe kryeministrit Mickoski, si dhe presidentit dhe kryeministrit të Bullgarisë, kryetarëve të Këshillit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, ambasadorit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Shkup dhe shefi i misionit të OSBE-së në Maqedoni.

Related Articles

Back to top button
Close
Close