India çan Himalajet, hap tunelin 712 mln dollarësh që çon ushtrinë në kufirin me Kinën

India ka përfunduar zyrtarisht sot hapjen e një tuneli rrugor strategjikisht të rëndësishëm nën vargmalin e Himalajeve që do të lidhë rajonin e kontestuar të Kashmirit me atë të Ladakhut, në kufirin me Kinën.
Në një lartësi prej rreth 3,500 metrash, më shumë se 13 kilometra i gjatë dhe me një kosto të vlerësuar prej 712 milionë dollarësh, tuneli Zojila do të mundësojë lëvizjen e automjeteve midis dy rajoneve gjatë dimrit, kur kalimi ekzistues është i mbyllur për shkak të borës.
Më shumë se 3,000 punëtorë u përfshinë në ndërtimin e tunelit, më i madhi i hapur ndonjëherë në Indi dhe që është planifikuar të jetë i hapur plotësisht për qarkullimin e mjeteve në vitin 2028.
“Nuk është vetëm një tunel, por një lidhje jetësore”, tha sot Ministri i Transportit Rrugor Nitin Gadkari gjatë një eventi.
Kufiri i diskutueshëm prej 3,500 kilometrash që ndan Indinë dhe Kinën është shpesh një pikë e nxehtë midis dy vendeve më të populluara në botë, të cilat garojnë për ndikim në Azi.
Në vitin 2020, një incident i dhunshëm ushtarak atje i vuri të dy vendet ballë për ballë, duke lënë të vdekur 20 ushtarë indianë dhe 4 ushtarë kinezë.
Rajoni me shumicë myslimane i Kashmirit ka qenë në zemër të konfliktit midis Indisë dhe Pakistanit që kur u nda midis dy vendeve në pavarësinë e tyre në vitin 1947.
Pasi të lidhet me rrjetin hekurudhor prej 272 kilometrash të përuruar vitin e kaluar, tuneli Zojila do t’i lejojë ushtrisë indiane, 500,000 ushtarë të së cilës janë të vendosur në Kashmir, të transportojë përforcime në rajonin Ladakh, në kufirin me Kinën.



