LajmeMaqedoniTopLajm

IMPORT I MADH I RRYMËS! Mbi 43 milionë euro në dy muajt e fundit

Të dhënat e Elektro Ekonomisë së Maqedonisë tregojnë se kontratat për energjinë elektrike nga importi kanë vlerën e 19.6 milionë euro vetëm për muajin e fundit të vitit. Këto shifra janë të ngjashme me ato të muajt nëntor kur janë paguar mbi 23 milionë euro për blerjen e rrymës së importuar

Maqedonia e Veriut vetëm në muajin dhjetor ka harxhuar 20 milionë euro për blerjen e rrymës në tregjet e jashtme. Të dhënat e Elektro Ekonomisë së Maqedonisë tregojnë se kontratat për energjinë elektrike nga importi kanë vlerën e 19.6 milionë euro vetëm për muajin e fundit të vitit. Këto shifra janë të ngjashme me ato të muajt nëntor kur janë paguar mbi 23 milionë euro për blerjen e rrymës së importuar. Apo me fjalë të tjera vetëm në muajt nëntor dhe dhjetor janë harxhuar mbi 43 milionë euro për importin e rrymës. Nga ana tjetër, përkundër punës më kapacitet gati të plotë të impianteve vendore të rrymës ato nuk mund të kënaqin kërkesën e madhe për rrymë në vend, ku në muajt e verës kryesisht, por edhe në disa muaj të tjerë, kënaqim nevojat për rrymë nga centralet vendore, ndërsa përgjatë dimrit me rritjen e konsumit, jemi të detyruar të blejmë rrymë nga jashtë.

Sistemi elektro energjetik në muajin dhjetor, ka punuar me të gjitha kapacitetet, me përjashtim të bllokut të tretë të Termocentralit të Manastirit, ku këto ditë pritet vendosja e transformatorit të ri, i cili pas një pritje të gjatë erdh nga Turqia. Të shtunën mbrëma zjarri pjesërisht përfshiu termocentralin Osllomesë dhe pritet që pas anulimit të problemit që ai të rikthehet në rrjet.

PSE IMPORT I RRYMËS?

Nga EEM thonë se rritjet e shitblerjeve të energjisë elektrike vijnë si rrjedhojë inkuadrimit dhe kyçjes nga fillimi i muajit dhjetor me vendim të ekzekutivit edhe konsumatorëve të tjerë, si kompani nga industria ushqimore, shkolla dhe ndërmarrjet e ujit dhe kanalizimit. Në fund të muajit nëntor nga qeveria njoftuan se fillon zbatimi i vendimit për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë nga industria ushqimore, shkollat fillore dhe të mesme publike dhe ndërmarrjet nga fusha e menaxhimit të ujërave. Sipas të dhënave të EEM, në më pak se një muaj kanë aplikuar për subvencion 233 shkolla publike fillore dhe të mesme, 50 ndërmarrje publike në fushën e menaxhimit të ujërave, grumbullimit dhe largimit të ujërave të zeza urbane dhe pastrimit të ujërave të zeza që punojnë me pompa apo impiante trajtimi. Është paralajmëruar se në javët në vazhdim me rifillimin me punë të termocentralit të Osllomesë dhe bllokut të tretë të termocentralit në Manastir, edhe mbulimi i tërësishëm i furnizimit me rrymë vendore për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.

RRITJE E PRODHIMTARISË

Nga Elektro Ekonomia e Maqedonisë kanë paralajmëruar se këtë vit edhe në kushtet e krizës, vështirësive së punës dhe mungesës së burimeve të energjisë, kanë rritur prodhimtarinë e energjisë elektrike me 27 për qind, ndërsa për vitin 2023 planifikohet të rrisin prodhimtarinë edhe për 20 për qind në raport me një vit më parë. “Edhe pse ligji për vitin 2022 parashikonte që ne të sigurojmë 60 për qind të energjisë elektrike, megjithatë sipas rekomandimit të Qeverisë ne kemi siguruar 100 për qind si dhe sigurojmë energji shtesë për humbjet për ‘Elektrodistribucionin’ dhe Sistemit të transmetimit të rrymës, për shkollat, ndërmarrjet publike dhe industrinë ushqimore dhe institucionet tjera vitale në shtet”, thotë drejtori i Elektro Ekonomisë së Maqedonisë, Vasko Kovaçevski. Sipas tij, po punojnë me kapacitet të plotë dy blloqet e Termocentralit të Manastirit, Termocentrali i Negotinës si dhe centrali i gazit Energjetika Kogel në Shkup. Pritet të punohet dhe të gjenden edhe resurse shtesë me qëllim që të sigurohet rrymë për biznesin, duke i ndihmuar me çmime më të ulëta të rrymës, duke marrë parasysh se kriza nuk do të përfundojë, por do të zgjasë edhe vitin e ardhshëm me paqartësi se kur do të përfundojë.

Në ndërkohë të dhënat tregojnë se si shtetet e tjera, edhe për ne kjo krizë ekonomike dhe energjetike me shtrenjtimin e madh të energjisë elektrike në bursat evropiane si dhe shtrenjtimit të madh të gazit do të ketë një kosto shumë të lartë për shtetin.

KOSTO E MADHE PËR SHTETIN NGA IMPORTI

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë harxhuar 363 milionë euro për importin e energjisë elektrike, apo tre herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me fjalë tjera, rritja jashtë kontrollit e çmimit të energjisë edhe mbi 6-8 herë në raport me vitet paraprake, ka detyruar Qeverinë jo vetëm të rrisë harxhimet për importin e saj nga jashtë, por edhe të rrisë harxhimet buxhetore për të mbrojtur amvisëritë dhe biznesin e vogël. Edhe vitin e kaluar, por edhe sivjet janë ndarë mjete të mëdha nga buxheti i shtetit për mbajtjen e çmimit për familjarët nën çmimin e tregut të energjisë me të çilin tregtohet në bursë, tregojnë të dhënat e statistikës dhe institucioneve përkatëse. Njëherësh, të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën janar-qershor janë harxhuar 1.09 miliard euro për importin e energjenseve të ndryshme si qymyri, nafta, gazi dhe energjia elektrike.

Për peshën e madhe dhe vështirësitë për financimin e nevojave për energji në nivel vendi – këtë vit, flasin edhe të dhënat se vitin e kaluar kemi harxhuar 2.8 herë më pak të holla për importin e energjisë vetëm në gjashtëmujorin e parë në raport me të njëjtën periudhë të këtij viti. Njëherësh, të dhënat tregojnë edhe dyfishimin e importit të naftës nga 225 në 532 milionë euro, të gazit nga 46 në 169 milionë euro, dhe qymyrit nga 10 në 25 milionë euro, e gjithë kjo për të ilustruar kërkesën e madhe për energjense për çka janë harxhuar kaq shumë deviza në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 karshi të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close