
Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi përmes një postimi ka kujtuar zhvillimet politike vitet e fundit tek partitë shqiptare. Ibrahimi kujton se të gjitha partitë kanë pësuar çarje duke filluar nga Lëvizja Besa në 2018, Alternativa 2022, ndërsa më 2024 dhe 2025 këtë po e vuan Aleanca për Shqiptarët, shkruan Top24
Politika që suksesin e vet e projekton në përçarjen e partive të tjera, përveçse në vetvete dëshmon boshllëk nga çdo ideologji, kauzë, program e moral politik, kështu përdëfton edhe se mendësia enveriste e “vrasjes” së kundërshtarëve është aktive edhe sot e gjithë ditën. Dikur “Enveri ynë” i vriste realisht, ndërsa sot “Enveri ynë” i vret duke i përçarë.
Më 2018 këtë sulm e pësoi Besa, më 2022 edhe AlternAtivA, ndërsa më 2024 dhe 2025 këtë po e vuan Aleanca për Shqiptarët.
Por, populli ka thënë “Mos ia bën gropën tjetrit, sepse mund të biesh vet!”. Kësaj politike përçarëse dhe “vrasëse” po i vjen fundi. Në tetor nuk do ta kremtojmë vetëm fitoren në zgjedhje lokale, por edhe fitoren ndaj enverizmit antishqiptar që metaforizohet me krim e korrupsion.



