
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka është shprehur nostalgjik për periudhën jetësore – atë të studentit, njofton Top24.mk
“Sa nostalgjike kjo vizitë në Prishtinë, pas kaq shumë vitesh! Që nga viti 1984, zemra më tërheq sërish drejt atyre dyerve të shenjta, ku dikur nisi rrugëtimi im. Fakulteti i Mjekësisë… sa kujtime dhe emocione zgjon ky emër!
Është pikërisht këtu, në këto salla e auditorë, ku u mësova dhe u aftësova për t’i shërbyer me devotshmëri njeriut të sëmurë. Çdo korridor, çdo shkallë, çdo laborator ka mbishkruar brenda vetes orë të tëra studimi, sakrifice dhe përkushtimi. Këtu u farkëtua jo vetëm mjeku, por edhe njeriu që jam sot.
Ndihem thellësisht nostalgjik për ato vite të arta, për profesorët e mrekullueshëm që na ndriçuan rrugën, për shoqërinë e paharrueshme me kolegët me të cilët ndamë ëndrrat dhe sfidat. Por mbi të gjitha, ndihem krenar! Krenar që pata privilegjin të isha pjesë e këtij institucioni madhështor, që më pajisi me dituri dhe aftësitë për të ndihmuar, për të lehtësuar dhimbjen dhe për të shpëtuar jetë. Ky kthim është një emocion i papërshkrueshëm, një dëshmi e rrugëtimit tim, i ndërtuar mbi themele të forta”, tha Duka.



